Deputeti i koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka deklaruar se 8 maji i këtij viti shënoi një pikë kthese historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke rrëzuar një regjim të stërvjetëruar dhe të korruptuar dhe duke hapur rrugën për një fillim të ri politik.
“Sot bëhet një vit nga dita kur qytetarët zgjodhën ndryshimin. Në këtë kohë të shkurtër, kemi rikthyer moralin në politikë, kemi afruar më shumë se kurrë Shqipërinë me Kosovën, kemi kthyer premtimet në vepra konkrete në infrastrukturë dhe kemi ndalur rrënimin ekonomik dhe institucional që për dekada e ka mbajtur vendin peng,” u shpreh Qoku.
Ai theksoi se VLEN, si forcë politike, është sot më e bashkuar, më e vendosur dhe më afër qytetarëve se kurrë më parë.
“Kjo është një rrugë që nuk ka kthim pas. Me ndershmëri, vizion dhe besim, po ndërtojmë një shtet që i takon të gjithëve, pa përjashtime”, shtoi deputeti i VLEN-it.
Këto deklarata vijnë në kuadër të shënimit të njëvjetorit të qeverisjes së re, që synon të sjellë një model të ri politik të bazuar në integritet, llogaridhënie dhe barazi qytetare.