Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka reaguar ashpër ndaj Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke e akuzuar këtë parti për mungesë vizioni opozitar dhe për përpjekje për rikthim në pushtet përmes “skenarëve destabilizues dhe urrejtjes ndëretnike”.
Sipas Mexhitit, prapa këtyre skenarëve qëndron një “shef në arrati” i dezinformatave, i cili, sipas tij, financohet nga struktura ruso-serbe përmes rrjeteve të bixhozit dhe kazinove, të cilat janë futur në vend nga vetë BDI.
“❌ Dështuan me Taravarin. ❌ Dështuan me Danella Arsovskën. 👉 Tani fajësojnë VLEN-in për çdo dështim të tyre!” – ka shkruar Mexhiti në një postim në rrjete sociale.
Ai ka përmendur disa çështje konkrete për të cilat, sipas tij, BDI ka përgjegjësi direkte, por përpiqet ta fajësojë koalicionin VLEN:
-
Heqjen e Balancuesit administrativ,
-
Lënien e ligjit për gjuhën shqipe të papërfunduar,
-
Regjistrimin e mërgatës me metodologji të propozuar nga vetë BDI.
“Ky është manuali i propagandës së vjetër: shpikje, përçarje dhe viktimizim”, thekson Mexhiti.
Ai përfundon duke theksuar se shqiptarët nuk i besojnë më “atyrë që ikën nga drejtësia dhe kërkojnë të rikthehen përmes kaosit”, ndërsa nënvizon se e ardhmja duhet të ndërtohet me “drejtësi dhe përgjegjësi”.