Prokuroria Themelore Publike në Strugë ka nisur një procedurë të përshpejtuar dhe, pas sigurimit të provave, ka paraqitur propozim-akuzë kundër dy persona të rritur nga fshati Radolishtë, të cilët akuzohen për veprën penale – Dhunë, sipas nenit 386 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal. Bashkëkryes i së njëjtës vepër ka qenë edhe një i mitur nga i njëjti fshat, për të cilin procedura do të zhvillohet sipas Ligjit për Drejtësinë për të Mitur.
Më 21 qershor, të tre personat kanë ushtruar dhunë brutale ndaj një viktime në Çarshinë e Vjetër të Strugës. Incidenti ka filluar si një përplasje verbale mes viktimës dhe të akuzuarve, dhe kur viktima ka tentuar të largohet nga frika e një sulmi fizik, i ka rënë telefoni. Kur është kthyer për ta marrë telefonin, të akuzuarit e kanë shfrytëzuar momentin për ta rrëzuar për tokë dhe për ta goditur në gjithë trupin me grushta dhe shqelma. Viktima ka kërkuar ndihmë nga kalimtarët e rastit, por vetëm një veturë ka ndalur, dhe shoferi ka ndërhyrë duke i kërkuar të akuzuarve që ta lënë viktimën të qetë.
I plagosur me gërvishtje dhe mavijosje në kokë dhe trup, viktima është strehuar në një kafene aty pranë derisa të arrinte policia, pas çka është dërguar fillimisht në spitalin e Strugës, e më pas në atë të Ohrit për trajtim mjekësor.
Me ngritjen e akuzës, prokurori kompetent ka propozuar vazhdimin e masës së paraburgimit për dy autorët e rritur, të cilët përveç dhunës ndaj viktimës, kanë shkaktuar edhe ndjenjë pasigurie dhe frike në publik.