Nesër në Shkup do të zhvillohet takimi i rëndësishëm i Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, ku Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jenë përballë njëri-tjetrit për herë të parë në këtë forum rajonal. Samiti dyditor, që fillon më 30 qershor dhe zgjat deri më 1 korrik, fokusohet në zbatimin e Planit të Rritjes për rajonin dhe nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Përveç Kurtit dhe Vuçiqit, në takim do të marrin pjesë edhe liderë të tjerë nga rajoni, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, duke bërë të mundur një dialog të gjerë për sfidat dhe mundësitë e zhvillimit rajonal.
Pjesa kryesore e samitit do të mbahet më 1 korrik në “Hilton Double Tree Hotel” në Shkup, ku do të diskutohen progresi i deritanishëm, iniciativat e reja dhe përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik dhe politik në Ballkan. Ky është një moment kyç për të parë në praktikë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut rajonal dhe integrimit evropian.