Policia e Sarandës ka zhvilluar një operacion të vazhdueshëm 24-orësh për identifikimin dhe kapjen e autorëve të një vjedhjeje të ndodhur në brigjet greke.
Dyshohet se mjeti lundrues është vjedhur në zonën e Igumenicës dhe, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, ai është gjetur në territorin shqiptar.
Skafi është lokalizuar dhe sekuestruar në fshatin Gjashtë të Sarandës, ku ishte transportuar me kamion pasi ishte nxjerrë më parë nga deti me ndihmën e një vinçi.
Sipas burimeve policore, është identifikuar dhe ndaluar drejtuesi i vinçit, shtetasi E. D., banues në fshatin Gjashtë.
Hetimet vijojnë me intensitet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të dokumentuar në mënyrë të plotë këtë ngjarje.