Zyra për Çështje të Jashtme Kriminale në Kërçovë ka ngritur padi penale kundër drejtorit të NPK “Komunalec”, Z.J., dhe katër punonjësve të ndërmarrjes për krijimin dhe menaxhimin e një deponie të paligjshme në një zonë të banuar në Kërçovë. Drejtori akuzohet për neglizhencë në detyrë dhe shkelje të ligjeve për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa punonjësit janë kapur duke hedhur mbeturina në këtë deponi më 4 qershor 2025. Veprimet janë kryer pa leje ndërtimi dhe pa dokumentacion të nevojshëm mjedisor, transmeton Portalb.mk.
“Zyra për Çështje të Jashtme Kriminale në Kërçovë ngriti padi penale kundër Z.J. (49) nga fshati Drogomisht i Epërm, rajoni i Kërçovës, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e dy veprave penale të vazhdueshme radhazi “kryerje e pakujdesshme e detyrave” sipas nenit 353-c paragrafi 1 dhe “rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me materiale mbetjesh”, sipas nenit 230 paragrafi 1 dhe paragrafi 5 dhe kundër B.B. (49) nga fshati Greshnicë, rajoni i Kërçovës, S.A. (49) nga Kërçova, D.J. (56) nga Kërçova dhe F.T. (62) nga Kërçova për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me materiale mbetjesh” sipas nenit 230 paragrafi 4″, thonë nga MPB.
MPB shton se Z.J. – drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale “Komunalec” në Kërçovë, në periudhën nga viti 2020 deri më sot, ka vepruar në kundërshtim me rregulloret për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës, ka ngritur një deponi të paligjshme prej disa mijëra metrash katrorë në një zonë të banuar në Kërçovë, për të cilën u ka dhënë detyra punonjësve që të ruajnë, lënë ose shpërndajnë materiale mbeturinash çdo ditë.
“Z.J. gjithashtu ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Menaxhimin e Mbeturinave dhe Ligjit për Mbrojtjen e Mjedisit, sepse ka ngritur një deponi në tokë shtetërore në pjesën e banuar të Kërçovës pa vendim të Këshillit të Komunës së Kërçovës, pa leje ndërtimi dhe pa poseduar Leje të Integruar Mjedisore dhe Raport për Mbrojtjen e Mjedisit. Kjo situatë është konstatuar me një Procesverbal të inspektimit të kryer nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit. Më 04.06.2025 në deponinë e paligjshme, oficerët e policisë kanë gjetur B.B., S.A., D.J. dhe F.T., të gjithë të punësuar si shoferë në NPK “Komunalec”, duke hedhur mbeturina komunale nga automjetet speciale të mbledhjes së mbeturinave”, thuhet në njoftim.