Shtatë vite më parë, Maqedonia e Veriut dhe Greqia nënshkruan marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar. Nga BDI thonë se kjo marrëveshje ishte një akt vizioni dhe guximi shtetëror, që jo vetëm hapi rrugën për anëtarësim në NATO, por e vendosi vendin në anën e duhur të historisë.
Gjithashtu thonë se Prespa e shndërroi shtetin në shembull rajonal për zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara përmes diplomacisë, dhe e vendosi Shkupin si platformë për dialog dhe stabilitet në tërë Ballkanin.
“Por sot, shtatë vite më vonë, po e shohim zhvlerësimin më të rëndë të atij kapitali. Qeveria, e cila duhet të jetë garant i orientimit euroatlantik të vendit, po shndërrohet në një kërcënim nga brenda. Narrativat ruse mbrohen nga funksionarë qeveritarë, votohet kundër Ukrainës, Dodik pritet si mysafir nderi, ndërsa Marrëveshja e Ohrit tash një vit është objekt i një agresioni sistematik. Perspektiva evropiane është ngrirë, qytetarët janë të demotivuar dhe të zhgënjyer, mijëra po e braktisin vendin apo kërkojnë rrugë drejt Evropës përmes pasaportave të tjera, ndërkohë që fqinjët ecin përpara në proceset integruese”.
“BDI u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë të mos lejojnë që këto arritje të fituara me vështirësi të fshihen. Prespa dhe Marrëveshja e Ohrit nuk ishin vetëm kompromise, ishin një zgjedhje për të ardhmen. E sot, sërish duhet të zgjedhim: A do të lejojmë që kjo gjeneratë të jetë gjenerata e mohimit, apo do të bëhemi zëri që mbron të ardhmen evropiane? Veçanërisht shqetësuese është roli i mbetjeve të VLEN-it, të cilët i tradhtuan vlerat themelore që i kanë përfaqësuar shqiptarët për dekada, vlera të evropianizimit, të barazisë dhe të pjekurisë demokratike”, thonë nga BDI.