Pikërisht shtatë vjet më parë, më 17 qershor të vitit 2018, në fshatin e vogël Nivici (Psarades) në bregun e liqenit të Prespës nga pala greke, Shkupi dhe Athina nënshkruan Marrëveshjen e Prespës, e cila mbylli mosmarrëveshjen e gjatë mes dy vendeve. Republika e Maqedonisë e ndryshoi emrin në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që hapi rrugë për integrime euroatlantike, por edhe perspektiva të reja në marrëdhëniet bilaterale me Greqinë.
Marrëveshja u nënshkrua në periudhën kur tek fqinji jonë jugor në pushtet ishte SYRIZA, ndërsa tek ne LSDM-ja dhe u nënshkrua nga ministrat e atëhershëm të jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe të Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, në praninë e kryeministrave të atëhershëm Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, mediatorit negociues Methju Nimic, ish-komisionerit për Zgjerimin e BE-së Johanes Han dhe ish- Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë dhe Siguri, Federika Mogerini dhe përfaqësues të tjerë të lartë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues të dy vendeve.
Tetë muaj pas nënshkrimit dhe pas ratifikimit në Kuvendin tone dhe në Parlamentin grek, Marrëveshja hyri në fuqi më 12 shkurt të vitit 2019.
Sipas marrëveshjes, Republika e Maqedonisë u riemërua Republika e Maqedonisë së Veriut, shtetësia maqedonase/shtetas i Republikës së Maqedonisë Veriore dhe gjuha maqedonase.
Vendi u bë anëtarja e 30-të e NATO-s dhe edhe pse emri vazhdimisht me vite përmendej si pengesë për perspektivën e BE-së të vendit, megjithatë nuk e hapi plotësisht rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Me Greqinë shtatë vite më vonë edhe krahas ndryshimit të pushtetit në të dyja vendet, marrëdhëniet dypalëshe janë në nivel të mirë.
Zgjidhjes së kontestit i paraprinë negociatat që zgjatën për 27 vjet, periodikisht ato ishin me ritme të shtuara dhe takime më të shpeshta, por kishte edhe periudha kur ato ishin në ngërç dhe ndërprerje, por gjithmonë përfundonin pa një zgjidhje të pranueshme reciprokisht, derisa në fund të vitit 2017 kur bisedimet u intensifikuan pas një ngecjeje thuajse trevjeçare dhe u arrit Marrëveshja.