Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Ilir Hasani, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.
Në një postim në Facebook, Hasani e ka ftuar publikisht Kostadinovskin të dalë para deputetëve dhe të shprehë qëndrimet e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë, ashtu siç, sipas Hasanit, i shpreh përpara gazetarëve.
“Z. gjyqtar Darko Kostadinovski, nëse ke diçka për të thënë, eja para deputetëve dhe thuaje atë që ua thua gazetarëve,” shkruan Hasani në reagimin e tij.
Deputeti thekson se opinioni i tyre si individë mund të mos ketë shumë peshë, por roli i tyre institucional i detyron të sillen me përgjegjësi ndaj ligjeve dhe Kushtetutës.
Duke e akuzuar Kostadinovskin për përçmim të gjuhës shqipe, Hasani i drejtohet me fjalët: “Kush je ti që ta ofendosh gjuhën time?”
Postimi mbyllet me një thirrje për transparencë institucionale: “Nuk do të të shkarkojmë, ji Kryetar, por eja para deputetëve dhe thuaje atë që ua thua gazetarëve.”