Mediat shtetërore indiane kanë raportuar se është gjetur një nga dy kutitë e zeza të aeroplanit Air India që u rrëzua dje në Indi.
Hetuesit do të përpiqen të analizojnë të dhënat nga kutia e zezë sa më shpejt të jetë e mundur për të përcaktuar shkakun e aksidentit. Hetimi, i udhëhequr nga India, do të përfshijë gjithashtu ekspertë nga Dega Britanike e Hetimit të Aksidenteve Ajrore, Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit të SHBA-së (NTSB) dhe përfaqësues të Boeing, duke pasur parasysh numrin e qytetarëve britanikë midis viktimave.
Rruga për në vendin e rrëzimit është aktualisht e bllokuar dhe siguria është forcuar me anëtarë të shumtë të shërbimeve të sigurisë.
Kujtojmë se avioni Boeing 787-8 po fluturonte nga Ahmedabad për në Londër, por u rrëzua vetëm pak sekonda pas ngritjes. Sipas të dhënave nga aplikacioni FlightRadar24, sinjali i fundit nga aeroplani u regjistrua menjëherë pasi ai doli nga pista.
Familjet e viktimave po mbërrijnë sot në Ahmedabad për të dhuruar gjak me qëllim identifikimin e viktimave. Kryeministri indian Narendra Modi gjithashtu mbërriti në vendin e rrëzimit.