Kreu i opozitës maqedonase, Venko Filipçe ka thënë sot se, Bullgaria duhet të deklarojë se, nuk do të ketë kërkesa të pabaza. Duke folur për procesin eurointegrues të vendit gjatë një takimi me qytetarët e Prilepit, Filipçe tha se, është koha që pala bullgare të bëjë një hap vërtet evropian dhe nëse ata me të vërtetë duan që fqinji i tyre të jetë pjesë e BE-së, le të sillen në mënyrë më evropiane.
Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së
“Nëse ne kemi frikë se nesër mund të ketë ndonjë lloj bllokade mbi baza joparimore, mbi bazën e gjuhës, identitetit etj., le të tregojnë sjellje evropiane dhe të thonë se nuk do të ketë diçka të tillë. Kaq është. Le të thonë jo, ne duam që fqinjët tanë të jenë në Evropë, do t’ju japim mbështetje, mos u shqetësoni, nuk do të ketë kërkesa të tilla. Kjo është një politikë e vërtetë fqinjësore, jo vetëm të bësh presion mbi dikë që është më i vogël dhe më i dobët se ju”.
Ai shtoi se LSDM po punon dhe po lobon te partitë simotra nga Partia e Socialistëve Evropian për të mbështetur raportin, duke theksuar se falë politikave të guximshme të qeverive të LSDM-së, sot gjuha maqedonase njihet në BE.
Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së
“Ne kemi konfirmuar identitetin dhe gjuhën tonë. Një marrëveshje u nënshkrua për herë të parë me Bashkimin Evropian – marrëveshja Frontex, në maqedonisht, pa fusnota në fund të faqes – ky është patriotizëm”.
Kujtojmë se, votimi për raportin e RMV-së në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, me sugjerim të eurodeputetit dhe raportuesit për Maqedoninë e Veriut, Thomas Weitz, është shtyrë për më 24 qershor. Ky i fundit tha se qëllimi i kërkesës është t’u japë eurodeputetëve mundësinë për të përditësuar regjistrat e tyre të lobimit. Ndërkaq, para mbajtjes së seancës së komitetit, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se, një eurodeputet bullgar do të përpiqet ta përkufizojë identitetin dhe gjuhën maqedonase si “aktuale”, dhe jo siç deklaroi Weitz – shekullore. Ai u bëri thirrje eurodeputetëve të dëgjojnë me kujdes mesazhet nga Bullgaria, duke vlerësuar se propozimi për të shtuar fjalën “aktuale” është një përpjekje për të krijuar një komb të ri, artificial maqedonas.
Teuta Buçi /SHENJA/