Nëntë milionë euro. Kaq ishte pjesa e tortës që përfundoi te një kompani bullgare në pronësi të vëllait të ish-kryeministrit Zoran Zaev, biznesmenit Vice Zaev, për blerjen e qymyrit që kompania shtetërore Sh.A. “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (ESM) e ka bërë nga viti 2022 deri më sot për t’i furnizuar termocentralet vendase me energjensë për prodhim të qëndrueshëm të energjisë elektrike. Këtë e nxori në pah hulumtimi i fundit i Laboratorit të Gazetarisë Investigative (IRL) i publikuar dje pas më shumë se tre vitesh betejash ligjore për të siguruar dokumente që dëshmojnë se ku kanë përfunduar paratë nga kontratat shumëmilionëshe për blerjen e qymyrit.
Ajo që zbuluan gazetarët e IRL-së është se disa kompani kanë përfituar shumë nga kriza në sektorin e energjetikës të cilën e shpalli qeveria e atëhershme në vitin 2022. Kjo nënkuptonte më shumë para buxhetore për kompanitë shtetërore për prodhimin dhe transportin e energjisë, siç janë Termoelektranat e Maqedonisë së Veriut dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike në Maqedoni (MEPSO).
Sipas hulumtimit të IRL-së për këtë qëllim nga viti 2022 deri më sot EMV ka lidhur kontrata me 11 kompani për blerjen e rreth 4,6 milion ton qymyr, për të cilat në mënyrë jotransparente janë shpenzuar 283 milion euro. Nga këto, nëntë milion euro kanë përfunduar tek një kompani bullgare në pronësi të vëllait të ish-kryeministrit dhe ish-liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.
Dallimet në çmime
Por, përpara se të zbulojë se cilat kompani i kanë fituar kontratat e blerjes dhe cilat çfarë pjese kanë marrë, IRL i zbulon momentet kontraverse në këtë biznes, nga të cilët si më të rëndësishmit dallohen dy prej tyre.
Njëri është mungesa e transparencës në procesin e dhënies së kontratave të prokurimit publik për kompanitë. Dhe i dyti, ndryshimi midis çmimeve të blerjes me të cilat kompanitë e kanë importuar qymyrin nga jashtë vendit dhe atyre në kontratat me kompanitë shtetërore të energjetikës.
Pjesa më e madhe e qymyrit ka ardhur nga Greqia, ndërsa një pjesë nga Shqipëria. Sasi më të vogla është rënë dakord që të importoheshin nga Bullgaria dhe Kosova, ndërsa një pjesë e vogël është blerë edhe nga minierat në Maqedoni.
Çmimi për REK “Manastir” është sjellë nga një minimum prej 45 eurosh për një ton linjit, deri në një maksimum prej 88,5 eurosh. Ai është përcaktuar sipas energjisë që mund të prodhohej, e që sillej nga rreth 450 denarë në 599 denarë për gigaxhul.
Sipas deklaracioneve të importit të cilat i siguruan gazetarët e IRL-së, çmimet e qymyrit të importuar nga Greqia ishin më konkurruese sesa të atij nga Shqipëria. Krahas çmimit të blerjes, çmimi përfshinte edhe shpenzimet e transportit, kështu që sillej nga 45 euro për një ton linjit të importuar nga Greqia në vitin 2022, 41 euro për ton në vitin 2023, e 39 euro në vitin 2024.
Megjithatë, nga Shqipëria, ku linjiti konsiderohet të ketë një vlerë më të lartë kalorike, pra me cilësi më të lartë, shpenzimet e transportit kanë qenë më të larta për shkak të distancës më të madhe, kështu që çmimi mesatar për ton ka qenë 47 euro në vitin 2022, 54 euro në vitin 2023 e 63 euro në vitin 2024.
Në këtë pikë hulumtimi i zbulon edhe kompanitë që i kanë fituar kontratat për blerjen e qymyrit.
“Zobek Mining” e Enis Kollashinac
Kontratën më të shtrenjtë për qymyr, me një çmim prej 70 eurosh për ton pa TVSH, kompania shtetërore ESM e ka lidhur me kompaninë me seli në Shkup, “Zobek Mining Group”. Kjo kompani, siç përkujtojnë nga IRL, ishte në qendër të vëmendjes së publikut në fillim të këtij viti, kur Drejtoria e Policisë Financiare ngriu pronën e saj me dyshimin se tek ajo kanë përfunduar paratë shtetërore nga tenderët për rregullimin infrastrukturor që i ka marrë nga Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale (DZZhTI) gjatë kohës që drejtor i saj ishte Jovan Despotovski nga LSDM.
Pronari i “Zobek Mining” është shtetasi i Maqedonisë së Veriut Enis Kollashinac.
Kontrata me kompaninë e Kollashinac është lidhur në shtator të vitit 2023, fillimisht për dërgimin e 200 mijë tonëve qymyr në REK “Manastir” në afat prej një viti. Me dy anekse sasia e dërgesës është rritur, fillimisht për 40 mijë ton, pastaj për 48 mijë ton të tjerë, deri në gjithsej 288 mijë ton.
Për këtë qëllim kompania “Zobek Mining” ka lidhur një kontratë me kompaninë greke “Lignitorihia Ahlada”, e cila është koncesionare e minierës së qymyrit me të njëjtin emër, “Ahlada”, në rajonin e Lerinit, nga ku është blerë e gjithë sasia.
Sipas deklaratës zyrtare të “Lignitorihia Ahladas” dërguar Ministrisë Greke të Energjetikës, e që është siguruar nga IRL, nga kjo minierë në vitin 2023 në Maqedoni janë shitur 768.827 ton linjit, me një çmim nga 28 dhe 30 euro për ton.
“Nga inspektimi i kontratave të lidhura me kompaninë ‘Lignitorihia Ahladas’ pamë se çmimi i blerjes sillet nga 30 euro për ton në vitin 2023, në 35 euro për ton vitin pasardhës. Por, Kollashinac shpjegoi se këtij çmimi i shtohen edhe shpenzimet e transportit dhe logjistikës prej rreth 10 eurosh për ton. Edhe me këtë, ende kishte një ndryshim të madh me 70 eurot për ton të dakorduara me ESM-në”, thuhet në hulumtim.
Sipas pronarit të kompanisë, dallimin që “Zobek Mining” e realizoi si fitim nga kjo blerje e qymyrit ka qenë rreth 3,2 euro për ton.
Në një bisedë me gazetarët e IRL-së, Kollashinac zbuloi se iu desh të angazhonte edhe një kompani tjetër që, ndër të tjera, duhej të nxirrte qymyrin në minierën greke.
Paratë shtetërore për qymyrin përfunduan në “Gomasidra”-n bullgare të Vice Zaev
Pas deklaratave të pronarit të “Zobek Mining” se bëhej fjalë për një kompani bullgare, doli se bëhej fjalë për kompaninë “Gomasidra”, e regjistruar në Petriç të Bullgarisë, ndërsa në pronësi të Vice Zaev, vëllait të ish-kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev.
“Nuk e dija fare se cila ishte kompania. Për këtë më informuan nga banka përmes së cilës bëheshin pagesat pasi ata i ndaluan të gjitha pagesat dhe më thanë të gjeja një bankë tjetër sepse kjo është një kompani e Vice Zaev”, tha Kollashinac, i cili nuk e fshehte se ishte një mik i mirë i ish-kryeministrit Zoran Zaev.
Ajo që ishte konfuze për gazetarët ishte se në kontratën midis “Zobek Mining” dhe minierës greke nuk përmendej fare se gërmimin duhej ta bënte një kompani tjetër.
Në takimin e tretë që e kanë patur me Kollashinac, ai ua ka treguar atyre kontratën me kompaninë Gomasidra, e regjistruar në të njëjtën adresë në Petriç me disa kompani të tjera të Zaevit, ku ndodhet edhe kompania POWER i8 Ltd e liderit aktual të LSDM-së, Venko Filipçe, për të cilën IRL tashmë ka shkruar.
Ai nuk i ka lejuar ata që të bënin fotografi të kontratës, por vetëm ta lexonin atë. Gjëja më e rëndësishme për të ka qenë që gazetarët të përqendroheshin te Neni 4, në të cilin janë përshkruar në detaje detyrimet e kompanisë së Vice Zaev.
Në kontratën për përfaqësim tregtar, “Zobek Mining” ka marrë për obligim që t’i paguajë kompanisë “Gomasidra” 47 euro për çdo ton qymyr të shitur, që është më shumë se çmimi i vetë qymyrit, që është 40 deri në 45 euro bashkë me transportin.
Në këmbim, “Gomasidra” ka marrë përsipër që: “…në emër dhe për llogari të porositësit ‘Zobek’, do të arrijë marrëveshje për shitblerjen e qymyrit me palë të treta, do ta informojë atë në kohën e duhur dhe do të kujdeset për interesat e tij; pastaj, do të sigurojë ambiente pune në afërsi të vendit të ngarkimit; do t’i sigurojë pajisjet dhe makineritë e nevojshme; do ta kalibrojë qymyrin sipas granulimit të kërkuar; nëse është e nevojshme, do ta desulfurizojë atë në nivelin e kërkuar të squfurit; do ta heqë pluhurin nga qymyri deri në një përmbajtje të pranueshme të hirit; si dhe do të organizojë ngarkim të shpejtë dhe të pandërprerë të qymyrit dhe transportim të shpejtë dhe të qetë në destinacionin përfundimtar, në kuptimin e angazhimit të automjeteve dhe shpenzimeve të transportit, që është detyrim i porositësit dhe ai e paguan vetë.”
Por, me këtë shpenzim ndaj kompanisë “Gomasidra”, që “Zobek Mining” të ishte fitimprurëse do duhej ta shiste qymyrin për të paktën 90 euro për ton, sepse me çmimin e rënë dakord prej 70 eurosh nuk kishte logjikë të realizonte këtë kontratë.
Kur e pyetën Kollashinac për këtë mungesë logjike të tregut, ai tha se kjo nuk do të thoshte se gjithçka e shkruar në kontratën me kompaninë “Gomasidra” ishte paguar.
Por, sipas të dhënave mbi kontratat e realizuara (sasia e dorëzuar dhe shuma e paguar) nga ESM, kontrata me “Zobek Mining” me vlerë 20,3 milionë euro për prodhimin e nxehtësisë u përfundua me një sasi më të vogël qymyri me kalori të lartë se sa ishte planifikuar, pra 244 mijë ton, kështu që çmimi mesatar i realizuar për ton u rrit në 82,5 euro.
Për dallimet në çmim IRL mori një shpjegim nga pronari i kompanisë “Gomasidra”, Vice Zaev, i cili iu përgjigj pyetjeve të mëposhtme me shkrim. Sipas tij, çmimi prej 47 euro për ton në kontratë ishte deklaruar si kufi i sipërm, por në fund, siç pretendon ai, i është paguar më pak.
“Për të arritur një cilësi më të lartë të qymyrit, në përputhje me standardet e kërkuara të blerësit përfundimtar, u paguan 37 euro për ton”, tha Zaev për IRL.
Ai i ka konfirmuar detyrimet e specifikuara në kontratë për përgatitjen e qymyrit sipas specifikimit të blerësit (EMV), që përfshinin kalibrimin, desulfurizimin, heqjen e pluhurit, ngarkimin dhe peshimin, si dhe mbështetjen logjistike gjatë procesit të transportit.
Bazuar në përllogaritjen e kësaj shume dhe sasinë e përgjithshme të qymyrit të dorëzuar, IRL llogariti se nga kjo kontratë “Gomasidra” ka arkëtuar rreth 9 milionë euro. Një pasqyrë e detajuar e llogarive vjetore të “Zobek Mining” tregon se shpenzime të tilla prej miliona eurosh janë regjistruar në zërat “shërbime me karakter të shpenzimeve materiale” dhe “shpenzime të tjera operative”.
Por për dallim nga Kollashinac, i cili pretendonte se nuk e dinte fare se cila kompani ishte angazhuar për këtë gjë, Zaev u tha atyre se: “Me ‘Zobek Mining Group’ kemi qenë bashkëpunëtorë afaristë afatgjatë në disa fusha ekonomike përmes personave juridikë të regjistruar në Maqedoni.”
“Në aktivitetin afarist me burimet e energjisë, ‘Gomasidra’ ka përvojë me qymyrin në Greqi, Rumani dhe Bullgari. Orientimi afarist i ‘Gomasidra’ është BE-ja dhe më gjerë. Në Maqedoni ende nuk kemi pasur një sfidë të tillë”, ishte përgjigjja e Vice Zaev në pyetjen se çfarë përvoje ka kompania e tij në këtë industri.
Që këto marrëveshje kanë mundësuar fitime solide për “Zobek Mining” tregojnë edhe raportet financiare të kompanisë.
Sipas IRL-së në vitin 2023 kompania ka raportuar një fitim prej 3,7 milionë euro, që është për 78 përqind më shumë se një vit më parë, por në vitin 2024 kompania ka qenë në humbje për 940 mijë euro.
“Audi” për Filipçen
Përndryshe, kompania “Gomasidra” e Vice Zaev u themelua më 1 qershor të vitit 2017, ndërsa aktiviteti kryesor i saj është transporti ndërkombëtar, shpedicioni i mallrave, dhënia e makinave me qira, si dhe shitja dhe dhënia me qira e pasurive të patundshme. Vice Zaev është pronari i vetëm, ndërsa deri në maj të vitit 2021 bashkë me të e ka menaxhuar edhe kushëriri i tij i parë dhe partneri në biznes, Trajçe Zaev. Në të njëjtën adresë kanë kompani Venko Filipçe, si dhe Trajçe dhe Boban Zaev.
Kompania “Zobek Group” ShPKNjP Shkup, siç shkruan IRL, është themeluar më 1 nëntor të vitit 2010. Pronari i parë ka qenë Selam Nuinovski nga Shkupi. Më 15 shtator të vitit 2021 kompania u ble nga Enis Kollashinac dhe mori një emër të ri – “Zobek Mining Group” ShPKNjP Shkup.
Gjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024 “Zobek Mining” fitoi edhe pesë tenderë të mëdhenj për rregullim ndërtimor të zonave nga Drejtoria për Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale (DZZhTI) përderisa drejtor i saj ishte Jovan Despotovski. Vlera e përgjithshme e kontratave ishte 25 milionë euro.
Në fund të vitit 2024 Prokuroria Themelore Publike në Shkup, pas një raporti nga Policia Financiare, hapi lëndë për keqpërdorim të detyrës zyrtare kundër Despotovskit dhe shtatë personave të tjerë nga Byroja e Prokurimeve Publike dhe Komisioni Shtetëror i Ankesave për tenderët e fituar nga “Zobek Mining” për Zonën Zhvillimore Teknologjike Industriale Shtip dhe Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale Strumicë. Prokuroria ia mori pasaportën Despotovskit dhe kërkoi ngrirjen e llogarive bankare dhe pronave të “Zobek Mining”.
Përndryshe, lidhja e “Zobek Mining” me partinë opozitare LSDM çon edhe deri tek lideri aktual Venko Filipçe. Vitin e kaluar IRL hasi në një foto të një automjeti “Audi” të cilin Filipçe e drejtonte gjatë fushatës zgjedhore, e që ishte e regjistruar në emër të kompanisë “Zobek Mining”.
Enis Kollashinac konfirmoi se automjeti ishte marrë me lizing nga kompania, por se sot është në pronësi personale të Filipçes.
Nga Prokuroria Publike për IRL-në njoftuan se janë duke u zhvilluar disa hetime paraprake për raste që kanë të bëjnë me blerjen e qymyrit.
” Prokuroritë Publike po veprojnë mbi raportet e revizionit që në një pjesë e mbulojnë rastin që e përmendni, por edhe mbi disa gjetje të tjera që mund të lidhen me blerjen e qymyrit”, deklaruan nga Prokuroria Publike në përgjigjen e dhënë.
Nga udhëheqësia aktuale e ESM-së thanë se kontratat për blerjet e qymyrit nga vitet e kaluara u janë kërkuar si nga Policia Financiare ashtu edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).
Hulumtimin e plotë të IRL-së mund ta lexoni në këtë LINK.
Kujtojmë se në hulumtimin e fundit, Investigative Reporting Lab zbuloi se vikend shtëpiza e profesorit universitar Faton Murseli në Kodrën e Diellit ishte legalizuar me elaborat gjeodezik të paligjshëm. Agjencia e Kadastrës ka konstatuar se dokumenti është i paligjshëm me nënshkrim digjital të pavlefshëm, ndërsa gjeodetët as që kanë shkuar në Kodrën e Diellit për të bërë matje gjeodezike. Por, edhe krahas këtyre lëshimeve, legalizimi i vikend shtëpizës i ka kaluar të gjitha filtrat në Komunën e Tetovës dhe askush nuk e ka zbuluar dokumentin e falsifikuar.