Një incident i armatosur ka ndodhur sonte në qytetin e Tetovës, ku një person i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri nga një motor në lëvizje.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën 111, e njohur ndryshe si lagjja Teqe.
Sipas informacioneve të para nga burime jozyrtare, dyshohet se ky rast mund të ketë lidhje me një vrasje të ndodhur një vit më parë, në të njëjtën lagje dhe afër të njëjtës rrugë. Gjithashtu, nuk përjashtohet mundësia që të ketë një lidhje edhe me një tjetër përplasje me armë që ndodhi rreth një vit e disa muaj më parë, pranë spitalit të Tetovës, ku ishin të përfshirë një banor i fshatit Gajre dhe një tjetër nga qyteti i Tetovës.
Aktualisht, forcat e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po zhvillojnë hetime intensive për të zbardhur rrethanat e incidentit.