Dje rreth orës 12:00, në hyrje të Strumicës, pas deposë së druve të Ndërmarrjes Pyjore “Belasica”, në vendin e quajtur “Kriva Reka”, u gjet i vdekur M.A. (19), maturant në një nga shkollat e mesme të Strumicës.
Lajmin tragjik e konfirmuan Prokuroria Themelore Publike Strumicë dhe SPB Strumicë.
Sipas prokurores Violeta Millçovska, trupi i djalit është dërguar për autopsi dhe nga të dhënat paraprake nuk ka shenja dhune. Priten analizat toksikologjike për të pasur një pamje më të qartë për shkakun e vdekjes.
Edhe nga policia konfirmojnë se dje rreth orës 12:00 është raportuar se afër Strumicës, në një arë të papunuar, është gjetur pa shenja jete trupi i një djali 19-vjeçar nga Strumica.
– Mjeku konstatoi vdekjen, ndërsa inspektimin në vendin e ngjarjes e kryen një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike Strumicë dhe një ekip i SPB Strumicë. Me urdhër të prokurorit publik, trupi është dorëzuar për autopsi, thuhet në njoftimin e SPB Strumicë.
Për momentin nuk jepen më shumë detaje për vdekjen e djalit dhe se si ka përfunduar në lokacionin ku është gjetur.