Ministri i Drejtësisë i Venezuelës, Diosdado Cabello, njoftoi sot pezullimin e trafikut ajror midis atij vendi dhe Kolumbisë, duke përmendur rrezikun e një komploti të mundshëm përpara zgjedhjeve lokale dhe parlamentare të planifikuara për 25 maj.
Ai shtoi në konferencën për shtyp se ky vendim u mor për shkak të ekzistencës së informacionit që tregon se disa udhëtarë mund të hynin në Venezuelë, duke u paraqitur si turistë, me qëllim kryerjen e sulmeve në atë vend, raportoi portali Eluniversal.
“Ne po pezullojmë menjëherë të gjithë trafikun ajror midis Kolumbisë dhe Venezuelës për shkak të një informacioni të tillë. Ne kemi arrestuar tashmë 38 persona për ekzistencën e një komploti”, tha Cabello.
Ai shtoi se qëllimi i këtyre veprimeve është të pengohet zhvillimi i zgjedhjeve dhe se qeveria ka marrë masa për të siguruar qetësinë gjatë ditës së zgjedhjeve.
Sipas ministrit, komploti është i lidhur me rrjetet e tregtarëve të drogës në Kolumbi. Cabello pretendon se figura të tilla si ish-presidentët kolumbianë Alvaro Uribe dhe Ivan Duque janë të lidhura me këto organizata.
“Ata duan dhunë në vendin tonë, por ne nuk do ta lejojmë. Ata do të hasin një përgjigje vendimtare dhe të fortë”, tha Cabello.
Ai shtoi se një grup individësh me eksplozivë, qëllimi i të cilëve ishte të sulmonin ambasadat, spitalet dhe zyrtarët qeveritarë, ishte arrestuar tashmë.