Presidenti turk, Rexhep Erdogan, ishte pjesë e takimit mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit të përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, përmes një video-lidhjeje, raporton agjencia turke e lajmeve, “Anadolu”.
Në takimin mes Trumpit e Al-Sharaas ishte edhe princi i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, shkruan televizioni BBC.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka njoftuar se ShBA-ja do t’ia heqë sanksionet Sirisë. Ky njoftim u mirëprit në Siri, ku pati festë.
Heqja e sanksioneve të vjetra amerikane kundër Sirisë, siç thuhet me kërkesën e Erdoganit dhe Bin Salmanit, e hap rrugën për investime substanciale saudite e turke në Siri.
Edhe kompanitë amerikane, sidomos ato të sektorit të energjisë, pritet të përfitojnë nga heqja e sanksioneve.
Takimi me Trumpin pritet t’i japë legjitimitet ndërkombëtar Al-Sharaas, dikur i njohur me nofkën e luftës, Abu Mohammad al-Jolani.