Analisti politik në Shqipëri, Ben Andoni thotë se në zgjedhjet e 11 majit qytetarët votuan për të ardhmen e Shqipërisë. Bazuar në rezultatet e deritanishme, ai konsideron se qytetarët me të drejtë vote votuan për një lloj normaliteti dhe Shqipërinë e integrimeve evropiane.
Në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura të dielën në Shqipëri, shumica e votuesve kanë përkrahur socialistin Edi Rama, i cili është edhe kryeministër aktual.
Sipas rezultateve preliminare, Partia Socialiste është në epërsi kundrejt koalicioni opozitar, të udhëhequr nga Sali Berisha i Partisë Demokratike.
Socialistët kanë deri tani tetëdhjetë e dy mandate, ku rezultatin më të mirë e kanë në Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan.
Koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike ka zbritur në pesëdhjetë e një mandate, pasi Partia Mundësia e Agron Shehajt i ka marrë një mandat në Tiranë
Andoni: Shqiptarët votuan më shumë për një lloj normaliteti
“Shqiptarët votuan më shumë për një lloj normaliteti dhe zotëri Rama arriti ta kuptonte këtë sepse u tregoi në projeksionin e tyre Shqipërinë e integrimeve evropiane. Ju e dini që tashmë është një konjekturë që Shqipëria, Mali i Zi, Serbia mund të integrohen shumë shpejt në Bashkimin Evropian, pa çka se e dimë shumë mirë që Serbia e ka të detyrueshme që ta njoh Kosovën, por konjekturat evropiane ndryshojnë në mënyrë të tillë që i kanë dhënë shumë shpresë, ashtu si edhe Malit të Zi dhe Shqipërisë që kanë në rreshtin e parë të integrimeve. Dhe zotëri Rama duke e ditur pro-evropianizmin e shqiptarëve, ka luajtur shumë me këtë kartë pa dhënë llogari fare për mandatin e fundit, pa treguar fare konsumimin e frikshëm të 12 viteve. Dhe shqiptarët pikërisht kanë votuar për Shqipërinë e të ardhmes, por jo për Shqipërinë e të tashmes. Shqipërinë e të tashmes është munduar ta mbajë fort zotëri Berisha, por mënyrën se si e ka treguar dhe se si është shprehur për ta ndryshuar duket se nuk ua mbushi mendjen shqiptarëve”, deklaron Andoni.
Sipas Andonit, legjislatura e ardhshme e Kuvendit të Shqipërisë nuk do të jetë në nivel të mirë.
Andoni: Legjislaturat në Shqipëri dhe Kosovë ngjasojnë
“Madje unë besoj që do të jetë në nivel edhe më të dobët se sa legjislatura aktuale. Çuditërisht edhe Shqipëria dhe Kosova ngjasojnë. Legjislaturat e fundit janë njëra më e dobët se tjetra. Pushteti i madh i zotëri Ramës shpresoj që mos ta bëjë atë më shumë arrogant se që është, sepse arroganca e tij manifestohet edhe në arrogancën e të gjithë institucioneve që janë përreth zotëri Rama. Në pjesën se si qaset administrata me publikun, në mënyrën se si ata shikojnë zhvillimin e vendit tonë dhe mbi të gjitha mënyra se si ata e shohin ndryshimin pa përfillur fare nevojat, interesat e shqiptarit të thjesht”, thekson Andoni për KP.
Analisti politik në Shqipëri, Ben Andoni thotë se në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri pjesëmarrja ka qenë më e ulët.
Andoni: Pjesëmarrja ka lënë shumë për të dëshiruar
“Pjesëmarrja ka lënë shumë për të dëshiruar dhe është gati në nivelin 41, 42 për qind. Është gati 4.5 më pak se katër vjet më parë. Në momentin që po flasim janë numëruar gati gjysma e kutive të votimit, po arrin gati gjysma e kutive të votimit, tërësia e tyre është 5225. Shikohet një avantazh jashtëzakonisht i madh i Partisë Socialiste deri më tani. Ndërsa, Partia Demokratike ka humbur pikë ka humbur pikë edhe në vitin 2021. E vetmja risi është që partitë e reja deri tani arrijnë që të fusin, ose arrijnë që të kapin një mandat në rang kombëtar”, shprehet Andoni.
Të dielën më 11 maj, të drejtë vote në Shqipëri dhe jashtë saj patën rreth 3.7 milionë qytetarë.