Nga sot, Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, do të realizojë vizitë pune treditore në Republikën e Turqisë, ku do të takohet me përfaqësuesit e Qeverisë turke, me ç’rast do të marrë pjesë edhe në Samitin e 28-të Ekonomik Euroaziatik.
Gjatë vizitës ministrja Dimitrieska-Koçoska do të zhvillojë takime në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Tregtisë së Turqisë, përkatësisht me Ministrin e Thesarit dhe Financave, Mehmet Shimsek dhe Ministrin e Tregtisë, Omer Bollat.
Dimitrieska-Koçoska, po ashtu, do të marrë pjesë në Samitin e 28-të Ekonomik Euroaziatik, ku do të mbajë një fjalim hyrës. Samiti i cili i kushtohet temës “Botë më humane”, paraqet vendin ku do të marrin pjesë liderët euroaziatikë të cilët këtë vit do të flasin për temat aktuale të lidhura me ekologjinë, ekonominë, energjinë. inteligjencën artificiale, bashkëpunimin ndërkombëtar në sektorin shëndetësor dhe tema të ngjashme. Samiti, tradicionalisht organizohet nga Fondacioni Marmara.
Si pjesë e delegacionit të udhëhequr nga ministrja marrin pjesë edhe sekretarja shtetërore në Ministrinë e Financave Andriana Matlioska, shefja e kabinetit, njëherazi këshilltare e posaçme në Ministrinë e Financave, Katerina Antovska, si dhe drejtorët e Drejtorisë së të Ardhurave Publike Elena Petrova, Drejtorisë Doganore Boban Nikollovski dhe Drejtorisë së Policisë Financiare, Sllobodan Ivanovski.