Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në deklaratën e sotme për mediumet tha se gëzohet që “Vlen”-i është bashkuar, ndërkaq si Aleancë për shqiptarët do të dalin me lista të veta në zgjedhjet lokale dhe me siguri me kandidatë për kryetarë të komunave. Taravari tha edhe se nuk është për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Dje ‘Vlen’-i u bashkua, u dëshiroj shumë sukses. Më mirë një parti, se sa tre parti. U dëshiroj sukses në zgjedhje. Ne, si Aleancë, do të dalim me listat tona dhe me siguri edhe me kandidatët tanë për kryetarë të komunave”, u përgjigj Taravari në pyetjet e gazetarëve.
I pyetur nëse kjo do të thotë se Aleanca tashmë nuk është pjesë e “Vlen”-it dhe nëse pesë deputetët e vet do ta njoftojnë kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi se do të veprojnë si grup i posaçëm i deputetëve, ai tha se nuk është sjellë një vendim i tij.
“Tani për tani, nuk kemi vendim të tillë. Megjithatë, nëse inicohet, pa dallim, ne kemi pesë deputetë tanë, ata do të vazhdojnë si grup i deputetëve, ‘Vlen’i do ta ketë grupin e vet të deputetëve”, u përgjigj Taravari.
Ai tha se tashmë ka thënë se nuk është për zgjedhje të parakohshme, ndërkaq qëndrim të tillë ka pasur edhe partia.