Javën e kaluar, nga data 21-26 prill u zhvilluan Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, ku marrin pjesë ministrat e Financave të vendeve anëtare, guvernatorë të bankave qendrore dhe drejtues të lartë të institucioneve financiare e përfaqësues të botës akademike, biznesit dhe shoqërisë civile.
Në përfundim të takimeve, Guvernatori Sejko vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë dhe të vazhdueshëm me FMN-në dhe Bankën Botërore, duke nënvizuar rolin e tyre kyç në mbështetjen e reformave ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko mori pjesë edhe në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në Komitetin e Zhvillimit të BB-së.
Guvernatori Sejko ishte gjithashtu i ftuar në një mëngjes pune me ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore, të organizuar nga drejtori i Departamentit Evropian pranë FMN-së, z. Alfred Kammer, gjatë të cilit ai prezantoi zhvillimet makroekonomike në Shqipëri, sektorët kryesorë të zhvillimit, si dhe potencialin që ajo paraqet për investitorët e huaj.
GUVERNATORI
Banka e Shqipërisë u përfaqësua në këto takime me një delegacion të nivelit të lartë, të kryesuar nga Guvernatori, z. Gent Sejko. Me këtë rast, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilët veçojmë: Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, z. Riccardo Ercoli; Drejtorin e Departamentit Evropian në FMN, z. Alfred Kammer; Asistentedrejtore e Departamentit Monetar dhe Tregjeve Kapitale, zj. Jennifer Elliott; Shefen e Misionit të FMN-së zj. Anke Ëeber, Zëvendëspresidenten për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në BB, zj. Antonella Bassani; Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në BB, z. Matteo Bugamelli, Drejtoren Rajonale për Ballkanin Perëndimor në BB, zj. Xiaoqing Yu. Gjatë këtyre takimeve u diskutuan zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në Shqipëri, politikat makroekonomike, si dhe zhvillimet në sektorin financiar e atë bankar. Në fokus të bisedimeve ishin dhe qëndrueshmëria e rritjes ekonomike, kontrolli i inflacionit, konsolidimi fiskal, reformat strukturore dhe politikat monetare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.
Gjatë prezantimit të zhvillimeve ekonomike, Guvernatori Sejko theksoi stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë, e cila vazhdon të konfirmojë rritjen ekonomike të qëndrueshme, të mbështetur nga kërkesa e fortë e brendshme dhe sektorët që po rriten, veçanërisht turizmi dhe konsumi privat. Guvernatori nënvizoi përmirësimin e ndjeshëm të shëndetit financiar të sektorit bankar, duke vënë në dukje se bankat mbeten të mirëkapitalizuara, likuide dhe fitimprurëse, me një nivel të ulët të kredive me probleme. Sipas të dhënave, trendet pozitive në performancën financiare dhe zgjerimi i kreditimit dëshmojnë për besimin në sistemin financiar dhe në aftësinë e tij për të mbështetur rritjen ekonomike të qëndrueshme.
Në lidhje me inflacionin, Shqipëria ka arritur të ketë një inflacion të ulët si rezultat i politikave të qëndrueshme monetare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë dhe përmirësimit të kushteve financiare. Aktualisht, inflacioni në vendin tonë është më i ulët krahasuar me vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian. Në lidhje me perspektivat e ardhshme, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e reformave strukturore, si një mundësi kyçe për përparimin e Shqipërisë. U vu theksi veçanërisht te nevoja për të forcuar transparencën, për të reduktuar nivelin e informalitetit në ekonomi dhe për të përgatitur vendin për fazat e ardhshme të integrimit në Bashkimin Evropian.
VLERËSIMET
Guvernatori vlerësoi mbështetjen dhe angazhimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin financiar të vendit dhe për të adresuar sfidat e mundshme në të ardhmen. Vlerësimet e përgjithshme ishin pozitive, duke evidentuar se ekonomia shqiptare po ruan një trajektore të qëndrueshme me rritje vjetore prej 3.5%–4%, inflacion të ulët rreth 2%, i cili pritet të kthehet në objektiv gjatë vitit 2026, borxh publik dhe të jashtëm në rënie, si dhe rezerva valutore në rritje.
Gjithashtu gjatë takimeve u theksua performanca e mirë e sistemit bankar, i cili mbetet likuid, me tregues të shëndetshëm financiarë dhe me një nivel të ulët të kredive me probleme (NPL), që ka rënë nga 25% në vitin 2014, në 4% në 2025. Sistemi bankar ka vijuar të mbështesë kreditimin e ekonomisë, me një kornizë rregullatore të përforcuar dhe përputhshmëri me standardet ndërkombëtare.
Përfaqësuesit e FMN-BB përgëzuan Bankën e Shqipërisë dhe autoritetet përkatëse për punën e shkëlqyer që çoi në anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë në SEPA (Tregun Unik të Pagesave në Euro), si dhe ndjekjen e hapave të mëtejshëm për zbatim e standardeve të SEPA në praktikë dhe finalizimin me sukses të transaksioneve të para në tetor 2025. Ky sukses përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të integrimit financiar të vendit tonë me tregun evropian dhe hap perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e besimit ndërkombëtar ndaj Shqipërisë.