Çrregullimet e shëndetit mendor tek fëmijët janë në rritje, tregon raporti i fundit i Ambasadës së Parë të Fëmijëve “Megjashi”. Në linjën e ndihmës për fëmijë “Alo Bushavko” të Megjashit gjatë vitit të kaluar janë pranuar 208 telefonata, prej të cilave më shumë raportime i referohen moshës 7-9 vjeç. Problemet më të zakonshme ishin të lidhura me shëndetin mendor, problemet e frikës, ankthit dhe zemërimit. Kreu i “Megjashit” Dragi Zmijanac tha se shqetësues është fakti që fëmijët përballen me pasoja të ndryshme, duke përfunduar edhe në mendim apo tentim për vetëvrasje.
DRAGI ZMIJANAC, KRYETAR I AMBASADËS SË PARË PËR FËMIJË ”MEGJASHI”
“Numri më i madh i raportimeve i referohen shëndetit mendor, në raportin e fundit përqindja e raportimeve për shëndetin mendor dukshëm është rritur. Pra çregullimet e shëndetit mendor janë në rritje me të gjitha pasojat me të cilat përballen fëmijët, ajo që më shumë na shqetëson është se vitin e kaluar kemi pasur 3 përpjekje për vetëvrasje apo mendim për vetëvrasje por kemi reaguar menjëher me ndihmën e policisë dhe kemi arritur të shpëtojmë jetë të reja. Këtë vit të dhënat flasin se kemi rritje dhe vetëm në tremujorin e parë janë 5 raste të tilla”.
Raporti vjetor i organizatës, tregon se 74.2 % e të gjitha rasteve të raportuara kanë të bëjnë me shëndetin mendor. Në raportime 97 fëmijë janë ankuar për frikë dhe ankth, 93 për vështirësi me zemërim dhe 79 fëmijë kanë shprehur shqetësim të thellë për veten e tyre. Megjashi apelon për bashkëpunim më të fortë ndërsektorial, shërbime më të mira të shëndetit mendor për fëmijët, si dhe rritje të ndjeshmërisë së shkollave dhe familjeve në njohjen dhe trajtimin e këtyre problemeve.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/