“Shumë vrer, shumë nervozë, kjo flet se në subkoshiencë kanë pasur diçka, që flasin kështu tani”. Kështu ju përgjigj Arben Taravari deklaratave të fundit të përfaqësuesëve tjerë të koalicionit VLEN. E si neurolog, thotë se atyre nervoza do ju kaloj për 6-7 ditë.
Taravari është i vendosur se ASH-ja e tij do të dalë me lista të veçanta në zgjedhjet lokale, por nuk është aspak i vendosur nëse do të largohet nga VLEN dhe nga Qeveria. Edhe pse VLEN, tashmë e ka “përjashtuar” nga koalicioni, Taravari thotë se atyre u jep edhe një shancë për ta mbështetur në garën e pushtetit lokal. E bisedime me parti të tjera, thotë se ende nuk ka bërë.
Arben Taravari, kryetar i ASH-së
“Ende s’kemi biseduar me asnjë parti, në parim, kemi thënë, kemi pasur Kryesi, sepse kemi organe partiake, kemi vendosur definitivisht të dalim me lista të veçanta. Në momentin që kemi negociata ose merremi vesh, ne kemi lënë edhe një mundësi VLEN-it, n.q.s janë të interesuar. Unë e shoh se tash reagojnë emocionalisht, këtë periudhë prej emocioneve besoj se kalon për 6-7 ditë, n.q.s nuk janë të gatshëm, ne i shohim opsionet të cilët i kemi parasysh si parti, për të dalë sa më mirë në zgjedhjet lokale”.
Për bashkëpartiakët e tij la edhe një mesazh. U tha se kërkesën për të dal nga Qeveria, mund të ja bëjë vetëm kryeministri Hristijan Mickoski.
Arben Taravari, kryetar i ASH-së
“Qeverinë e bën kryeministri, nëse kryeministri…unë kam biseduar me kryeministrin, sërish do të flasim, nëse ai vlerëson se ASH-ja nuk ju duhet, ne nuk kemi asnjë problem, megjithatë mendoj se ASH-ja për momentin duhet, megjithatë nëse marrin vendim të tillë, nuk ka asnjë problem. Nuk mundet të tregojë askush tjetër, përpos atij që formon qeveri, me të do të shihemi, dëgjohemi, jemi në komunikim, kështu që do të shohim ditëve në vijim”,
Eksponentët tjerë të VLEN-it i kanë kërkuar Taravarit që të përcaktohet nëse dëshiron të qëndroj në VLEN apo t’i bashkohet BDI-së, ndërsa kryeministrit Mickoski i kanë kërkuar që Taravarin ta largoj nga kjo përbërje qeveritare.
Emine Ismaili /SHENJA/