Prokuroria Themelore Publike Shkup ka paraqitur aktakuzë ndaj një 44-vjeçari nga Shkupi, i cili akuzohet për veprën penale – Përndjekje, sipas nenit 144-a paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Në periudhën nga korriku deri në tetor të vitit 2023, i akuzuari në mënyrë të përsëritur e ka ndjekur ish-bashkëshorten e tij pa autorizim, duke tentuar të vendosë kontakt të padëshiruar me të. Ai vazhdimisht e ka telefonuar, i ka dërguar mesazhe, është endur rreth ndërtesës ku banonte ajo dhe e ka ndjekur deri në vendin e punës.
Përmes telefonatave dhe mesazheve, ai ka kërcënuar dhe fyer ish-bashkëshorten, duke e shqetësuar psikologjikisht dhe duke i shkaktuar ndjenjë pasigurie, frikë dhe kërcënim për sigurinë e saj personale.