Ish-nënkryetari i LSDM-së dhe zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi, është grabitur gjatë festave të Pashkëve, dhe hajdutët kanë vjedhur një kasafortë në të cilën kishte para dhe stoli.
“Më 21.04.2025, në orën 11:40, në SPB Shkup, F.B. (49) nga Shkupi ka raportuar se në periudhën nga ora 07:30 e datës 18.04.2025 deri në ora 03:00 të datës 21.04.2025, me përdorim force dhe veglash të posaçme, është hyrë në shtëpinë e tij në rajonin e Butelit në Shkup dhe janë marrë para dhe sende të tjera”, njoftoi MPB.
Në orët e hershme të mëngjesit rreth orës 3 pas mesnate, tre persona hynë në shtëpinë e deputetit Fatmir Bytyqi. Ai konfirmoi për TV 24 se, ndërkohë që ndodhej jashtë shtetit, shtëpia e tij ishte cak i një grabitjeje.
“Gjithçka ndodhi rreth orës 3 të mëngjesit. Grabitja zgjati rreth 3 minuta e gjysmë deri në 4 minuta. Në shtëpi kam sistem alarmi dhe video mbikëqyrje. Janë regjistruar tre persona, dy prej tyre hynë në shtëpi ndërsa njëri qëndroi roje para derës. Na është marrë një kasafortë metalike e ndërtuar në mur. E kanë shqyer krejtësisht. Në të kishte para por edhe stoli me vlerë emocionale familjare për ne. Pas grabitjes, pas rreth 6 minutash erdhi edhe agjencia e sigurisë me të cilën është i lidhur sistemi ynë i alarmit,” tha Fatmir Bytyqi për TV24.
Stolitë për të cilat flet Bytyqi nuk figurojnë në formularin e pasurisë të dorëzuar pranë Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Në vitin 2020, kur ishte zëvendëskryeministër për çështje ekonomike, Bytyqi kishte deklaruar një shtëpi prej 343 m² e vlerësuar në 17,2 milionë denarë. Ai ngiste një “Volkswagen T-Roc”, ndërsa bashkëshortja një “Mercedes E-Class”, me vlerë përkatësisht 20.000 dhe 30.000 euro.
Ai ka tre kredi – dy prej tyre në vlerë prej 1,5 dhe 3 milionë denarë që duhet t’i shlyejë deri në vitin 2040, si dhe një kredi banesore prej gati 2 milionë denarë të marrë në vitin 2023.