Djali i një policeje ka qëlluar me armën e saj të vjetër të shërbimit në Universitetin Shtetëror të Floridës (FSU), duke vrarë dy persona dhe duke plagosur gjashtë të tjerë, thonë autoritetet.
Autori i dyshuar, Phoenix Ikner, një student 20-vjeçar në FSU, filloi të qëllonte rreth mesditës pranë ndërtesës së unionit të studentëve në kryeqytetin e shtetit, Tallahassee, shkruan BBC përcjell “Bota sot”.
I dyshuari u qëllua nga policia dhe u dërgua në spital. Motivi mbetet i paqartë. Viktimat nuk ishin studentë, sipas policisë së kampusit, por identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike.
I dyshuari është djali i një oficereje veterane të policisë së qarkut Leon, e cila është një punonjëse model, tha Sherifi Walt McNeil. Jessica Ikner, një oficere që punon në shkollë, e kishte mbajtur armën pasi forcat policore kishin përmirësuar armatimin.I dyshuari ishte një “anëtar prej kohësh” i këshillit këshillues të rinisë pranë zyrës së sherifit dhe kishte marrë pjesë në disa programe trajnimi, tha Sherifi McNeil.
“Kështu që nuk është befasuese që ai kishte akses në armë,” tha ai.
Sipas gazetës studentore, i dyshuari kishte marrë pjesë në një protestë në kampus kundër inaugurimit të Presidentit Donald Trump në janar.
Deklarata e tij për FSUNews.com u hoq të enjten, me një shënim të redaktorëve që shpjegonte se media nuk donte të amplifikonte zërin e të dyshuarit.
Universiteti tha se policia iu përgjigj një telefonate për një situatë me të shtëna aktive rreth mesditës me orën lokale. U dërgua një alarm që paralajmëronte studentët dhe ata që ndodheshin në kampus të “strehoheshin dhe të prisnin udhëzime të mëtejshme.”
“Një nga shokët e klasës mori një njoftim në telefon dhe ua tha të gjithëve në klasë,” tregoi studentja Ava Arenado për CBS News Miami.
Një student tjetër, Blake Leonard, tha për CBS se fillimisht dëgjoi rreth 12 të shtëna.
“Fillimisht mendova se ishte ndonjë ndërtim aty pranë, derisa pashë njerëz duke vrapuar nga ndërtesa e unionit drejt meje, dhe pastaj dëgjova edhe 12 ose 15 të shtëna të tjera, ndaj nisa të vrapoja edhe unë,” tha ai.
Presidenti Donald Trump, i cili tha se ishte informuar për incidentin përpara një takimi me kryeministren italiane Giorgia Meloni në Shtëpinë e Bardhë, u pyet nëse kishte ndër mend të ndryshonte rregullat për armët pas këtij sulmi.
Ai u përgjigj se është “një përkrahës i madh” i Amendamentit të Dytë të Kushtetutës Amerikane, i cili mbron të drejtën për mbajtjen e armëve.
“Kam qenë që nga fillimi,” tha ai. “E kam mbrojtur atë. Këto gjëra janë të tmerrshme. Do të flasim më shumë për këtë më vonë.”
Ai e quajti të shtënat “një turp, një gjë të tmerrshme.”
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, tha: “Lutjet tona janë me familjen e FSU-së dhe forcat shtetërore të rendit janë duke vepruar aktivisht.”
Ky nuk është rasti i parë i një të shtënë me armë në FSU. Në vitin 2015, një ish-student i universitetit plagosi tre persona në bibliotekë përpara se të vritej nga policia.
Babai i një vajze që u vra në sulmin masiv në shkollën e mesme Parkland në Florida në vitin 2018 tha se disa nga shokët e klasës së saj, që kishin mbijetuar nga ai sulm, ndodheshin në kampusin e FSU-së gjatë të shtënave të së enjtes.
Fred Guttenberg, një aktivist për kontrollin e armëve, shkroi në X (ish-Twitter):
“Në mënyrë të pabesueshme, disa prej tyre sapo ishin bërë pjesë e sulmit të tyre të dytë me armë në një shkollë, dhe disa ishin në ndërtesën e unionit sot.”