Edhe pse janë ndërmarrë disa përpjekje për të zgjidhur problemin e qenve endacakë, rrugët e kryeqytetit vazhdojnë të mbeten të pasigurta, veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe kalimtarët e rastit.
Së fundmi, në redaksinë e Telegrafit kanë mbërritur disa ankesa nga qytetarët, të cilët shprehin shqetësimin e tyre të vazhdueshëm për këtë çështje, duke kërkuar masa më të shpejta dhe efikase nga institucionet përkatëse.
“Jam qytetare që banoj dhe veproj në Prishtinë. Çdo mëngjes më duhet të kaloj përmes sheshit, ku tash e dy ditë po përballem me një situatë shqetësuese për shkak të qenve endacakë. Është e pamundur të kalojmë lirshëm, pa u ndjekur apo, në disa raste, pa u ndier të kërcënuar apo të sulmuar prej tyre”, ka deklaruar qytetarja me inicialet E.K.
Për fat të keq, nuk mungojnë as rastet e shumta kur qytetarët kanë pësuar lëndime si pasojë e sulmeve nga qentë endacakë, duke shtuar ndjenjën e pasigurisë dhe frikës në përditshmërinë e tyre./Telegrafi/