Gianluca Zambrotta, ish-mbrojtësi i famshëm i djathtë i Juventusit, Barcelonës dhe Milanit dhe një lojtar kyç për Italinë në fitimin e Kupës së Botës 2006, ka zbuluar se ai vuan nga një problem serioz shëndetësor.
Në podkastin e Gianluca Gazzoli, italiani zbuloi se vuante nga një deformim në gju. Zambrotta ka “genu varum”, siç quhet profesionalisht kur këmbët janë të përthyera fort tek gjunjët në formën e shkronjës “O”.
“Nuk kam pasur dëmtime serioze gjatë karrierës sime, por kam bërë tre operacione në menisk. Sot nuk kam më meniskun e brendshëm as në gjurin e majtë e as në të djathtë dhe me kalimin e kohës më janë shtrembëruar këmbët. Tani jam si një model laboratori. Mjekët më shikojnë dhe pyesin se si eci”, ka thënë fillimisht Zambrotta.
“Kam vizituar tre ose katër kirurgë kryesorë italianë dhe askush nuk mund të shpjegojë se si luaj padel me gjunjë të tillë. Së shpejti do të bëj një operacion në të dy gjunjët. Ata do të presin kockat sipër dhe poshtë gjunjëve të mi, do të vendosin pllaka dhe do të përpiqen të më drejtojnë këmbët. E gjithë kjo për të shmangur një protezë totale, të paktën tani për tani”, përfundoi italiani.
Zambrotta pranoi se duhet t’i ishte përkushtuar më herët zgjidhjes së këtij problemi, i cili është pasojë e gjenetikës, por edhe e dëmeve të shkaktuara nga vite të tëra loje pa menisk.
Italiani për herë të fundit në aspektin profesional ka luajtur në vitin 2014, ndërsa sot vazhdon të merret me sport në mënyrë rekreative, pavarësisht gjendjes së tij të vështirë. /Telegrafi/