Edhe pse ka shumë paqartësi për funksionimin e mëtejshëm të partnerëve të koalicionit, me zhvillimet e fundit të Arben Taravarit, kryeministri Hristijan Mickoski, këmbëngul se shumica parlamentare është stabile. Si për ta dëshmuar këtë, në Tetovë, për 700 metra rrugë, kishin ardhur gjysma e kabinetit qeveritar. I pyetur nëse njëri nga liderët e koalicionit VLEN Arben Taravari, do të largohet nga koalicioni dhe se liderët e tjerë a i kanë kërkuar kryeministrit që Taravarin ta largoj edhe nga Qeveria, ai u përmbajt të komentoj këto pohime.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Unë do të përmbahesha nga çfarëdolloj komentimi. Vetëm do të thosha se qeveria funksionon e bashkuar, si e vetme, kjo qeveri do të thosha jozyrtarisht se ka shumicë prej 2/3 në Kuvendin e Maqedonisë. Realisht 78 deputetë e mbështesin”.
Ajo që dihet zyrtarisht deri tani është se Taravari ka kërkuar që në zgjedhje të dalë me listë të veçantë dhe jo bashkë me koalicionin Vlen. Ndërsa këta të fundit veçmë e kanë thënë se në zgjedhjet lokale koalicioni do të dalë bashkë në zgjedhje. Poashtu Taravari ka thënë se është i pakënaqur nga puna e disa funksionarëve të koalicionit Vlen. Por, në të njejtën kohë, nuk ka dhënë asnjë kritik për kryeministrin dhe për qeverinë.
Poashtu të shtunën, Taravari dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti mbajtën takime të veçanta me presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj. Kurse me këtë të fundit, disa nga përfaqësuesit e Vlenit, u takuan disa ditë më parë.
Emine Ismaili /SHENJA/