Struganët kërkojnë nga organet kompetente lokale që të bëjnë kontroll të detajuar në të gjitha objektet gastronomike në bregun e Strugës, në mënyrë që siç thonë ata të parandalohet puna joligjore, shkruan Alsat.
“Gjithçka është ndërtim pa leje. Nuk ka asgjë normale. Kjo është thirrje për të gjitha komunat e vendit. Le t’i thirrin mendjes ata që janë nëpër institucione se çfarë mund të ndodhë”, tha një qytetar.
“I gjithë sistemi nuk funksionon siç duhet. Jemi dëshmitarë si zjarrfikës, ndërkohë që jemi në intervenime”, u shpreh një qytetar tjetër.
Një grup qytetarësh të Strugës i kanë dërguar shkresë komunës duke i bërë thirrje autoriteteve lokale që të bëjnë kontrolle në terren, të evidentojnë të gjitha objektet për të cilat nuk ka dokumentacion apo fletëporosi dhe t’i sanksionojnë ato. Kërkojnë që të zbatohet procedurë ligjore në përputhje me planin e menaxhimit të rajonit të UNESCO-s Ohër-Strugë, i cili lejon vetëm shezllone dhe dhoma të zhveshjes në bregun e liqenit dhe jo ndërtime të forta.
“Plazhet aktualisht nuk e kanë karakteristikën e plazhit, por përkundrazi janë shndërruar në vendtakim panairesh të gastronomëve me përmbajtje të ndryshme: kampingje ilegale, salla dasmash ilegale, pastiçeri, piceri, restorante ilegale, kafene që punojnë deri në orët e mëngjesit, zona për tubime të papërshtatshme me përmbajtje të ndryshme”, thuhet në letrën e qytetarëve.
Edhe këshilltarët e VMRO DPMNE-së në Strugë kërkojnë kontrolle.
“Në vijën e bregut të Strugës kemi shembull ku një objekt gastronomik, i cili ka filluar me aktivitet tjetër për të kërkuar leje për punë, me tjetërsim të votuar nga Këshilli i Komunës së Strugës, për t’i dhënë mundësi të punojë në biznesin e gastronomisë. Lëshime të tilla mund të ndodhin edhe në të ardhmen”, tha Nikolla Kukunesh – Këshilltar i VMRO DPMNE-së.
Nga Komuna e Strugës thonë se do të iniciojnë inspektim të koordinuar me të gjitha shërbimet kompetente inspektuese në Komunë dhe do të fillojë me kontrollin e të gjitha objekteve në fushën e gastronomisë, turizmit, lokaleve dhe kafeneve./ Alsat.mk