Republika e Maqedonisë së Veriut zhvillon politika makroekonomike të besueshme dhe konsistente të përkrahura nëpërmjet politikës afatgjate të kursit devizor fiks, treguesve më të mirë të menaxhimit në krahasim me vendet e tjera me performancë të ngjashme ekonomike, si dhe përkushtimit për reforma në suaza të procesit të aderimit në BE. Kjo u deklarua nga Agjencia Kreditore “Fitch” në raportin e saj të fundit, e cila gjithashtu ruajti vlerësimin kreditor të vendit BB+ me perspektivë stabile.
Agjencia thekson se në vitin 2024, rritja reale e PBB-së arriti në 2.8%, pavarësisht vështirësive të jashtme dhe se është mbi projeksionet për shkak të shpenzimeve dhe investimeve të fuqishme publike.
“Fitch”-i pret që rritja ekonomike në vitin 2026 të arrijë në 4%, si rezultat i realizimit të investimeve në Korridorin 8 dhe 10d. Në raport thuhet se investimet mbeten të fuqishme, por rritja e dobët e produktivitetit dhe zhvillimet e pafavorshme demografike paraqesin faktorë kufizues për rritjen në periudhë afatmesme.
Ata theksojnë se janë regjistruar flukse hyrëse të fuqishme të investimeve të huaja direkte. Sipas tyre, investimet e huaja direkte neto janë më të lartat në 17 vitet e fundit dhe se ato u rritën në 7.1% të PBB-së në vitin 2024, si rezultat i investimeve të larta në zonat e lira ekonomike. Sipas “Fitch”-it, papunësia mbetet në mënyrë strukturore e lartë për shkak të mungesës së shkathtësive dhe zhvillimit të pabarabartë ekonomik rajonal. Rritja e pagave është e fuqishme edhe në periudhën 2022-2024, mesatarisht në nivel vjetor ajo shënon 13% dhe nuk ka pasur efekt negativ ndaj konkurrencës.
Në raportin e “Fitch”-it thuhet se në vitin 2024 është realizuar deficit buxhetor prej 4.6%, që është më pak nga rishikimi i ribalancit në nivel prej 4.9%, si rezultat i i të hyrave më të larta dhe realizimit të pamjaftueshëm të shpenzimeve kapitale. Në vitin 2025, “Fitch”-i nuk pret ndryshime sa i përket deficitit buxhetor për shkak të vlerës më të lartë të projektuar të shpenzimeve kapitale dhe normalizimit të shpenzimeve për pensionet dhe fondet sociale.
Ndikim pozitiv në pjesën e të hyrave pritet nga vendosja e e-faturës. Agjencia vlerëson se grantet nga Plani i rritjes për Ballkanin Përendimor do të kontribuojnë në uljen e deficitit në 4% deri në vitin 2026. Sipas “Fitch”-it, borxhi do ta tejkalojë nivelin e 58% të PBB-së në periudhë afatmesme.
Inflacioni në vitin 2024 pritet të jetë mesatarisht 4.2% dhe sipas “Fitch”-it, treguesit kryesorë janë rritja e fuqishme e pagave, rritja e kërkesës së brendshme, së bashku me rritjen e fuqishme të kredisë për sektorin privat.
Vlerësimi kreditor është përpiluar në bazë të analizave të politikave të zbatuara nga vendi. Me të tregohet shkalla e re e investimeve dhe është ndër treguesit kryesorë që investitorët potencialë marrin parasysh gjatë vendimmarrjes së tyre.
Vlerësimin kreditor për vendin e përgatisin agjencitë kreditore “Fitch” dhe “Standard & Poor’s”, dy herë në vit.