Hapja zyrtare e Tunelit të Murrizit është paralajmëruar për nesër, më 14 mars. Ky tunel është pjesë e autostradës “Rruga e Arbrit” dhe nga pika kufitare “Blato” afër Dibrës, do të duhet një orë për të mbërritur në Tiranë, transmeton Portalb.mk.
Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka thënë se më datën 14 mars do të hapet Tuneli i Murrizit për qasje për të gjithë drejtuesit e automjeteve në drejtim të Tiranës dhe atë të Dibrës.
“Ndërkohë po vazhdojmë dhe po punojmë në këto momente me tunelin ndihmës i cili është pjesë e këtij projekti. Bashkë me pranverën, të hapim dhe Rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme. Një nga rrugët të cilat padyshim do të shënojë rritjen ekonomike të të gjithë kësaj zone dhe do të shënojë rritjen e sektorit turistik për zonën e veriut”, nënvizoi Balluku.
Aktualisht po punohet për detajet e fundit, instalimi dhe montimi i pajisjeve të nevojshme, si dhe hedhja e shtresave asfaltike për rrugën dalëse të tunelit.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli bëri të ditur se janë drejt përfundimit edhe punimet sa i takon godinës ku po instalohen pajisjet për monitorimin e tunelit.
“Në hyrje të tunelit godina e monitorimit është e përfunduar. Ka filluar instalimi i pajisjeve të cilat do të monitorojnë tunelin 24 orë, qoftë për aksidentet, qoftë për avari të ndryshme apo sistemi kundër zjarrit”, tha Gjyli.
Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3.78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës.
Hapja e Tunelit të Murrizit filloi në maj 2019, por gjërat kanë ecur shumë më ngadalë se sa ishte planifikuar, për shkak të gjeologjisë së vështirë dhe rrëshqitjeve të dheut.
Autostrada është hapur për qarkullim në fund të nëntorit 2021, që atëherë frekuenca e pasagjerëve në vendkalimin “Blato” është rritur. Vitin e kaluar sipas MPB-së së Maqedonisë së Veriut, në hyrje dhe dalje janë regjistruar 834.345 pasagjerë, prej tyre 672.062 janë të huaj dhe 162.283 shtetas të RMV-së. Krahasuar me një vit më parë, numri është 120,086 pasagjerë më i lartë.
Në tërësi Rruga e Arbrit ka 7 tunele, me gjatësi totale 8,5 km.
Rruga e Arbërit bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim në Ballkanin Perëndimor. Jo vetëm do të afrojë qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë me Dibrën dhe Maqedoninë e Veriut, por do të jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit të Shqipërisë dhe Dibrës në Maqedoninë e Veriut.