Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar gjatë vizitës së tij në Sarajevë se aleanca është e përkushtuar për të mbështetur Bosnje dhe Hercegovinën dhe nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në vend.
Pas takimit me anëtarët e presidencës së BiH, Rutte theksoi mbështetjen e NATO-s për sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit.
Ai iu bëri thirrje liderëve politikë të marrin përgjegjësitë e tyre për stabilitetin dhe sigurinë e vendit.
“Sigurisht që kam shqetësime edhe për situatën e sigurisë. Për të qenë të qartë, ky nuk është viti 1992 dhe ne nuk do të lejojmë të krijohet një vakum sigurie”, ka deklaruar Rutte.
“Ne nuk do të lejojmë që paqja e fituar me vështirësi të rrezikohet. NATO do të vazhdojë t’ju mbështesë në rrugën tuaj evropiane dhe euroatlantike ndërsa ju bëni përparim”, ka shtuar Rutte.
Gjatë vizitës së tij, ai pritet të takohet edhe me përfaqësues të qeverisë së BiH, përfshirë kryetaren e Këshillit të Ministrave, ministrin e Punëve të Jashtme, ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin në detyrë të Sigurisë.
Ndërkaq, pas kësaj vizite Rutte pritet ta vizitojë edhe Kosovën.