Kryeministri Hristijan Mickoski, në kuadër të samitit të qeverisë hungarezo-maqedonase në Budapest, ka takuar homologun e tij, Viktor Orban. Kryeministri i Maqedonisë shprehu besimin se mbështetja e fortë e Hungarisë mund të jetë një mundësi e madhe për të shpejtuar procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e vazhdimit të negociatave dhe përmbushjes së kushteve të Kopenhagës për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
Hristijan Mickoski -Kryeministri i RMV-së
“Objektivi ynë strategjik si vend është të jemi pjesë e familjes evropiane, diçka që e kemi merituar shumë kohë më parë. Por duhet të theksojmë gjithashtu se ajo që qytetarët e Maqedonisë kanë dhënë për realizimin e këtij qëllimi strategjik, i cili fatkeqësisht nuk ka ndryshuar nga gjendja në të cilën ishte 20 vjet më parë, është e paçmuar – domethënë çmimi është aq i madh sa nuk mund të përcaktohet. Sepse po flasim për bilateralizim të procesit të negociatave, jo për europianizim. Shpresoj që ky proces të zhbllokohet përfundimisht për ne me një mbështetje të madhe nga Hungaria jonë mike dhe që edhe ne si vend të fillojmë të negociojmë. Jam i bindur se shumë shpejt, nëse kemi mundësi t’i fillojmë ato negociata në bazë të kritereve të vërteta të Kopenhagës, do t’i përfundojmë me sukses dhe do të jemi pjesë e BE-së, tha Mickoski.”
Nga ana tjetër, Kryeministri hungarez, Viktor Orban, gjatë fjalës së tij, shprehu mbështetje të fortë për Maqedoninë e Veriut dhe procesin e anëtarësimit të saj në BE. Orban e cilësoi si turp ngadalësimin e procesit të zgjerimit të BE-së dhe theksoi se Hungaria është plotësisht e angazhuar për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, të bëhen pjesë e BE-së.
Viktor Orban-Kryeministri hungarez,
“Prandaj duhet të paguajmë gjoba në emër të miqësisë. I thashë Mickoskit se mund të vazhdoni të llogarisni në mbështetjen tonë në procesin drejt anëtarësimit të plotë në BE. Është turp që procesi po ecën përpara kaq ngadalë. Kjo është përgjigja për ne, anëtarët e BE-së. Ne e mbështesim anëtarësimin e tyre sepse BE-ja duhet të përmirësojë konkurrencën dhe nuk shoh zgjidhje më të mirë se vazhdimi i procesit të zgjerimit, shtoi kreu i qeverisë hungareze.”
Kryeministri hungarez shprehu optimizëm për mundësinë e një përfundimi të luftës që ka tronditur rajonin dhe botën. Ai theksoi se Hungaria mbështet negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe është e interesuar për një rezultat të suksesshëm, duke shtuar se vijimi i luftës është një politikë e gabuar dhe e rrezikshme. Po ashtu, ai shprehu shqetësimin për disa shtete të BE-së, që pavarësisht aleancave, janë të mendimit se Ukraina duhet të vazhdojë luftën. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut theksoi rëndësinë e një qëndrimi të përbashkët të Maqedonisë dhe Hungarisë, duke u përqendruar në mbështetjen që të dyja shtetet kanë dhënë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për vendimet që kanë të bëjnë me paqen. Ata gjithashtu ranë dakord për rëndësinë e ruajtjes së kufijve dhe luftës kundër emigracionit të paligjshëm, një sfidë që ka prekur të dyja shtetet.Mickoski dhe Orban diskutuan gjithashtu për mbështetje të mëtejshme financiare nga Hungaria, përfshirë investime në infrastrukturë dhe zhvillimin e projekteve si rrugët dhe shkollat. Ata gjithashtu folën për mundësinë e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve. /tvklan.mk