Nën moton “Bëhu hero i jetës së dikujt duke dhuruar gjak”, shoqata humanitare kulturore MERHAMET organizoi një aksion masiv për dhurimin e gjakut . Një nismë kjo që ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve, të cilët kanë treguar gatishmërinë e tyre për të kontribuar në shpëtimin e jetëve. Qëllimi i këtij aksioni ishte rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe nevojën e vazhdueshme për furnizim me këtë element jetik në spitale dhe qendra shëndetësore. Veçanërisht ky aksion nga MERHAMET dëshmon se një akt i thjeshtë mund të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e një personi. Për këtë më së miri ka ndarë informacione për TV Shenja edhe mjekja Florida Rexhep, nga ku ajo theksoi përfitimet e shumta nga dhurimi i gjakut.
Florida Rexhepi, mjeke
“Siç e dimë këtu jemi në një aksion për dhurimin e gjakut. Gjatë një dhurimi të gjakut kemi pasojat e pranuesit dhe pasojat e dhuruesit. Pasojat e një gjakdhuruesi janë përfitimet si nga aspekti shëndetësor duke përmirësuar qarkullimin e gjakut, duke përmirësuar rreziqet kardiovaskulare, gjithashtu edhe për të përmirësuar prodhimin e elementeve të gjakut, ndërsa nga aspekti i dhuruesit ne mund të shpëtojmë jetë personave të cilët janë me sëmundje kronike, personat me gjakderdhje të mëdha gjatë aksidenteve të ndryshme, dhe personat të cilët janë të shtruar në spital”.
Tutje ajo shtoi se procesi i dhurimit të gjakut është një proces që merr pak kohë, por që siç tha ajo, bën mrekulli duke mundësuar shpëtimin e 3 jetëve. Ajo thekson se gjaku është i pazëvendësueshëm dhe njëkohësisht inkurajon që personat të cilët nuk janë të kyçur në këtë akt human, të bëhen pjesë e këtij aksioni
Florida Rexhepi, mjeke
“Gjithë procesi i dhurimit të gjakut zgjat diku 20 deri në 30 minuta duke përfshirë pranimin e dhuruesit, kontrollin e dhuruesit dhe procesi i dhurimit. Siç e dimë ne mund të marrim diku te 450 ml gjak. Me 450 ml gjak ne mund të shpëtojmë 3 jetë. Duke pasur parasysh që me një akt kaq minimal ne mund të shpëtojmë 3 jetë, pra mund të jemi hero i vetes tonë për të shpëtuar jetët e pacientëve të cilët janë duke pritur për ne”.
“Dhurimi i gjakut nuk është vetëm një veprim i bukur por edhe një mision që shpëton jetën”, kështu ka vlerësuar edhe një vajzë e cila ishte e pranishme në këtë aksion të organizuar nga shoqata humanitare MERHAMERT.
QYTETARE
“Dhurimi i gjakut nuk është vetëm një veprim i bukur por edhe një mision që shpëton jetën. Ne sot jemi mbledhur këtu që për të kontribuar në shoqërinë dhe për dhurimin e gjakut jo vetëm në sistemin shëndetësor por edhe në lidhjen dhe solidaritetin që kemi mes nesh. Për jetën e tyre është shumë mirë për të dhuruar gjak, largohen toksinat nga trupi, edhe për të tjerët edhe për shëndetin e tyre”.
Pjesë e dhurimit të gjakut mund të jenë të gjithë personat të cilët janë të shëndetshëm, me shëndet të plotë fizik dhe mbi moshën 18 vjeçare.
Anida Murati /SHENJA/