Çështja e marrëveshjes së diskutueshme mes Lotarisë Shtetërore dhe Hej Sh.P.K. për shfrytëzimin e hapësirave të ish restorantit Festina në Vizbeg, nuk mbaron me kallëzimin penal të dorëzuar para një jave. Policia Financiare vazhdon ta krehë aktin kontraktues, i cili mban firmën e ish drejtorit Përparim Bajrami i cili aktualisht ndodhet në arrati.
“Në Drejtorinë e Policisë Financiare po zbatohet procedurë hetimore për marrëveshjen e qirasë mes Lotarisë Shtetërore dhe “Hej Sh.P.K”. që rezultoi me dorëzim të kallëzimit penal, por Policia Financiare edhe më tej vepron në këtë lëndë sipas urdhrit të Prokurorisë Themelore Publike, në bazë të së cilës bëhet analizë e plotë e transaksioneve të parave”, njoftojnë nga Drejtoria e Policisë Financiare.
Hetuesit e Policisë Financiare kanë konstatuar se me marrëveshjen e nënshkruar në korrik të vitit 2023, Bajrami e ka dëmtuar buxhetin e shtetit për 400 mijë euro, pasi marrëveshja nuk është bërë në mënyrë përkatëse dhe në pajtueshmëri me kushtet e theksuara në thirrjen publike. Plotësisht, Lotaria Shtetërore ka paguar qira, më shumë se dyfish se sa çmimi real.
“I paraqituri ka nënshkruar marrëveshje për qira për hapësira biznesore për 9 euro për metër katror edhe pse në atë periudhë çmimi për metër katrorë për objekte të ngjashme sipas qëllimit dhe llojit në vendbanimin Vizbeg ka lëvizur prej 2.5 deri në 4.5 euro”, thonë nga Drejtoria e Policisë Financiare.
Lotaria shtetërore për 13 muaj i ka paguar mbi 300 mijë euro kompanisë “Hej” për dhënien me qira të objektit, i cili ruante terminalet e lojërave të fatit të blera 19 milionë euro. Kjo kompani është e njohur për publikun, sepse drejtohej nga njerëz të afërt të ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, si dhe njerëz të afërt të ish-deputetit Ismail Jahoski. Më 17 shtator të vitit të kaluar, Qeveria shkëputi marrëveshjen në mënyrë të njëanshme pasi sipas tyre, është konstatuar shkelje gjatë procedurës së furnizimit publik.
Bajrami, gjithashtu është i akuzuar edhe në lëndën ku bashkë me ish zëvendëskryeministrin Artan Grubi ndiqen për keqpërdorim të detyrës zyrtare për shpërdorim të mbi 8,2 milionë eurove, pasi kanë blerë VLT aparate edhe pse s’kanë pasur të drejtë ligjore. Sikur Bajrami, edhe Grubi është i pa qasshëm për organet e drejtësisë. /Alsat.mk