Grupi parlamentar i LSDM-së ka dorëzuar në Kuvend propozim ligj për uljen e TVSH-së së energjisë elektrike nga 18% në 5%. Me këtë propozim ligj, sipas deputetit Fatmit Bytyqit, rreth 600 000 amvisëri do të kenë fatura më të ulta të energjisë elektrike.
Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së
“Ulja e TVSH-së për energji elektrike don të thotë 13% fatura më të lira, gjegjësisht rrymë më e lirë për mbi 600 000 amviseri. Për faturë nga 3 000 denarë, qytetarët do të kursejnë rreth 400 denarë, që në vend që kjo të shkoj në buxhetin e shtetit, do të mbetet në buxhetin familjar”.
Po ashtu, deputetët e LSDM-së opozitare kërkojnë edhe heqjen e TVSH-së së produkteve ushqimore. Këtë e kërkojnë pasi siç tha Bytyqi, çmimet e produkteve ushqimore po rriten pa kontrollë dhe buxhetet familjare janë nën shtypje të vazhdueshme.
Fatmir Bytyqi, deputet i LSDM-së
“Grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicionit ka paraqitur propozim ligj për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për TVSH, përmes të cilit kërkojmë ulje të TVSH-së për energjinë elektrike nga 18% në 5% dhe heqjen e TVSH-së së produkteve ushqimore bazë, gjegjësisht nga 5% në 0%”.
Ata i bëjnë thirrje Qeverisë që të përkrahin këto propozime, në mënyrë që të ju ndihmohet qytetarëve për ta tejkauar këtë periudhë të vështirë.