Një tjetër viktimë është regjistruar sot në sagën e përgjakshme të gjakmarrjes mes dy fiseve në Tale të Lezhës. Pjetër Kaza, 57 vjeç, është qëlluar për vdekje, në një atentat që dyshohet të ketë lidhje me një hasmëri të nisur që prej vitit 1994 mes fiseve Kaza dhe Gjini.
Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, konflikti nisi në vitin 1994 me vrasjen e Ndue Kazës, atëherë shef i Krimeve në Policinë e Shtetit, nga vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini. Në vitin 1997, Martin Kaza, vëllai i viktimës, ekzekutoi të dy vëllezërit Gjini. Ai u arrestua në Londër dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë në vitin 2017, ku po vuan dënimin me burg.
Saga e gjakut nuk përfundoi aty. Në vitin 2023, edhe Agustin Kaza, vëllai i Pjetër Kazës, u vra me katër plumba në Belgjikë, një tjetër akt që sipas autoriteteve lidhet me hakmarrjen e gjatë mes familjeve.
Pas ngjarjes së sotme, një grup i posaçëm hetimor është ngritur nga Policia e Lezhës, nën drejtimin e Prokurorisë, për të zbardhur rrethanat e atentatit dhe për të identifikuar autorin apo autorët. Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën ku ndodhi atentati, në afërsi të banesës së viktimës, ndërsa mësohet se po mblidhen dëshmitë e familjarëve dhe banorëve të zonës.
Ekspertët e kriminalistikës po analizojnë gjurmët në vendin e ngjarjes, ndërkohë që hetimet vijojnë në disa pista, përfshirë dhe atë të gjakmarrjes.
Njoftimi paraprak i Policisë së Lezhës:
Lezhë/Informacion paraprak
Në fshatin Tale, Lezhë, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. K., rreth 57 vjeç, banues në Tale.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur para banesës së tij, në kohën që shtetasi P. K., po kthehej për në banesë me automjetin e tij.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë vendore të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër.
Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes, dhe nën drejtimin e Prokurorit, po kryejnë veprimet hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.