Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar një Urdhër për zbatimin e procedurës hetimore kundër gjashtë personave për pjesëmarrje në veprat penale – vrasje dhe tentim vrasje gjatë përleshjeve me armë zjarri që ndodhi mbrëmjen mes 10 dhe 11 shkurtit në lagjen Fushë Topanë të Shkupit. Po ashtu, është iniciuar procedura edhe kundër dy personave për veprime ndihmuese pas kryerjes së veprës penale, pasi pas ngjarjes ata kanë fshehur dy pistoleta, duke ndihmuar disa nga të dyshuarit që të mos zbulohen.
Prokuroria Publike
“Në ditën kritike, në parkingun në rrugën “Brigada e Dytë Maqedonase”, pas një mosmarrëveshje verbale për shkak të një keqkuptimi trafiku pranë poliklinikës Çair, ka nisur një shkëmbim zjarri i armatosur mes dy grupeve, ku i dyshuari kryesor, një 28-vjeçar, me përdorimin e armës së zjarrit, me qëllim e ka privuar nga jeta viktimën, Hebib Bunjaku dhe ka vënë në rrezik jetën e një personi tjetër. Po ashtu, pesë të dyshuar të tjerë kanë marrë pjesë direkt në shkëmbimin e zjarrit, duke u përgjigjur me veprime ndihmëse dhe bashkëkryerje në vrasje dhe tentim vrasje. Dy të fundit, pas shkëmbimit të zjarrit, fshehën dy pistoletat që ishin përdorur gjatë incidentit të armatosur”.
Prokurori kompetent ka propozuar masën e paraburgimit për dy të dyshuarit për veprat penale vrasje dhe tentim vrasje, si dhe masën e arrestit shtëpiak për një tjetër të dyshuar. Paraburgim është propozuar edhe për dy të dyshuarit për veprën penale – Ndihmë për autorin pas kryerjes së veprës penale. Policia ende po e kërkon tre persona. Po merren edhe masa të tjera për zbardhjen e plotë të rastit.
Kujtojmë se, më 11 shkurt, pak pas mesnate, dy grupe u përfshin në një pëleshje të armatosur, si pasojë e së cilës mbeti i vrarë një person, ndërsa dy të tjerë u plagosën. Sipas të dhënave të policisë, shkaku që solli përleshjen kishite qenë një mosmarrëveshje në komunikacion.
Teuta Buçi /SHENJA/