Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka deklaruar se kërcënimet me bombë që janë dërguar në shkollat e vendit të premten e kaluar kanë ardhur nga emaile të përkohshme, të cilat fshihen vetëm një orë pas dërgimit të mesazheve kërcënuese. Ai theksoi se kjo e bën të vështirë gjurmimin e dërguesve të mesazheve kërcënuese.
Në një intervistë për emisionin “360 Gradë”, Toshkovski sqaroi se kërcënimet e fundit janë pjesë e një vale kërcënimesh hibride, të cilat janë të rreme. Megjithatë, ai nuk përjashtoi mundësinë që Ministria e Punëve të Brendshme të ndërmarrë një hetim të plotë për të zbuluar burimin e këtyre mesazheve.
“Kërcënimet janë të rreme, jo vetëm ato të premten, por edhe ato që janë bërë më parë. Ata përdorin emaile të përkohshme që hapen nga individë me qëllime keqdashëse. Sipas informacionit që kam marrë, këto emaile fshihen brenda një ore, që i bën shumë të vështira për të gjurmuar autorët,” tha Toshkovski.
Ai shtoi gjithashtu se shtabi operativ i krijuar për të hetuar kërcënimet me bombë ka përfunduar procesin e hartimit të rekomandimeve për Ministrinë e Arsimit dhe për të gjitha institucionet arsimore. Këto rekomandime përfshijnë masa për forcimin e sigurisë rreth shkollave, duke përfshirë mbrojtjen e perimetrave gjatë orëve të mësimit kur nuk ka nxënës, si dhe rritjen e vigjilencës nga shërbimet e sigurisë.