Nëse deri dje, retorika e Bashkimit Demokratik për Integrim ishte nacionalizëm i pastër, me një dozë dukshëm të rritur pas kalimit në opozitë, mëngjesin e sotëm kjo parti ka vendosur që t’i jep asaj një kahje diametralisht të kundërt. Mëngjesin e sotëm, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka vendosur lule në varrin e heroit maqedonas Goce Dellçev, për ta përkujtuar veprimtarinë e tij në përvjetorin e lindjes së tij, por edhe për t’i përkujtuar qytetarët simbolikën e rëndësishme të kësaj figure për shtetin e Maqedonisë së Veriut.
Arbër Ademi, BDI
“Nuk vendosëm vetëm kurorë me lule për të përkujtuar përvjetorin e lindjes së një figure të rëndësishme historike siç është Goce Dellçev, i cili pati një vizion të jashtëzakonshëm, por është shumë më tepër se sa kaq”.
Por, ai ka shkuar edhe më larg, duke bërë thirrje që të ndiqet ideja e “Dellçevizmit” dhe të aplikohet në krijimin e politikave në kohën e tashme për t’i shërbyer bashkëjetesës së popujve në vend.
Arbër Ademi, BDI
“Sot sigurisht se duhet të shënohet ideja e dellçevizmit, ideologjia e cila në ditët e sotme është më se e domosdoshme për Republikën e Maqedonisë, pra respekti i ndërsjelltë, bashkëjetesa, barazia, por edhe bashkëpunimi edhe pasurimi ndërkulturor ndërmjet bashkësive etnike këtu në vend, duhet të shërbejë si themele për ndërtimin e një të ardhme të përbashkët. Prandaj, divergjencat eventuale të cilat sot i kemi në shoqëri nuk duhet të ekzistojnë. Ato dallime, diversitete të cilat i kemi, nuk duhet të shërbejnë për ndasi, por përkundrazi duhet të jenë motiv për punë shtesë apo ndërtimin e një të ardhme të përbashkët”.
Kujtojmë se, Goce Dellçev konsiderohet si një ndër heronjtë më të mëdhenjë të kombit maqedonas. Ai ka marrë pjesë në lëvizjen maqedonas revolucionare, ndërsa mbetet udhëheqësi më i shquar i Organizatës Revolucionare Maqedonase, të cilën VMRO – DPMNE-ja e sotme, e konsideron si paraardhëse ideologjike të saj. Në historinë e sotme të Maqedonisë, Dellçevi konsiderohet si apostull dhe zemra e Maqedonisë revolucionare, ideolog, organizator dhe udhëheqës i lëvizjes revolucionare maqedonase nacionalçlirimtare në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të.
Nga ana tjetër, edhe Bullgaria e konsideron Dellçevin si një figurë të rëndësishme revolucionare bullgare dhe pikërisht mosmarrëveshjet rreth figurisë së tij, kanë krijuar kontest mes dy shteteve, i cili ka bllokuar rrugën evropiane të vendit.
Teuta Buçi /SHENJA/