Është sulmi i fundit. Real Madridi vazhdon të shfrytëzojë gjithë artilerinë për të protestuar kundër sistemit të referimit, pas disfatës së diskutueshme në ndeshjen ndaj Espanyolit. Ishte një ndeshje që u shënua nga vendimi për të mos përjashtuar mbrojtësin e Espanyolit, Carlos Romero, që më pas shënoi golin e fitores për skuadrën nga qyteti i Barcelonës. Ai bëri ndërhyrje të ashpër ndaj Kylian Mbappes, gjysmë ore pa përfunduar ndeshja, kur rezultati ishte 0:0.
Ishte një vendim që bëri që Real Madridi të merret edhe një herë me komunitetin e arbitrave dhe me Federatën e Futbollit të Spanjës. Është një luftë që vazhdon prej kohësh, por që aktualisht po përjeton një nga momentet më të tensionuara. Madridi ka shpërthyer dhe ngjarjet vazhdojnë të ndodhin.
Klubi madrilen, që në ballinë nga e shtuna mban titullin “skandal botëror” të shoqëruar me fotografinë e ndërhyrjes së Romeros ndaj Mbappes, ka shkuar tutje duke nisur sulmin përfundimtar frontal.
Klubi të hënën ka dërguar një letër të fortë proteste në federatën spanjolle, ndërsa një kopje ia ka nisur edhe Këshillit të Lartë për Sport. Letra u publikua në faqen zyrtare të Real Madridit. Letra titullohet “protesta formale kundër sistemit të arbitrimit” dhe ka të bëjë edhe me “performancën skandaloze të arbitrit të VAR-it në ndeshjen e 1 shkurtit ndaj Espanyolit”.
“Ngjarjet e ndodhura në këtë ndeshje kanë tejkaluar çdo kufi të gabimit njerëzor apo interpretimit të arbitrave. Ajo që ndodhi përfaqëson kulmin e një sistemi të arbitrimit plotësisht të diskredituar, në të cilin vendimet kundër Real Madridit kanë arritur një nivel të manipulimit dhe falimentimit të garës, që më nuk mund të injorohen. Dy vendimet më të rëndësishme të kësaj ndeshjeje, kanë dëshmuar edhe një herë standardet e dyfishta ndaj Real Madridit”, shkruan në fillim të letrës.
Tutje në letër shkruan se ndërhyrja në Mbappen është dashur të ndëshkohet me karton të kuq. Ndërhyrja u vlerësua vetëm për karton të verdhë nga arbitri dhe VAR-i dhe kjo bëri që reagimi i klubit madrilen të jetë i ashpër.
Madridi ka kërkuar audioincizimet nga dhoma e VAR-it për rastin ndaj Mbappes dhe golin e anuluar të Viniciusit.
“Ky skandal i referimit nuk është rast i izoluar. Sistemi spanjoll i referimit është me plot të meta dhe i organizuar për të mbrojtur veten. Problemet serioze në federatën spanjolle janë evidente në vitet e fundit. Real Madridi nuk mund të pranojë që gara të vazhdojë të drejtohet nga sistemi i diskredituar i referëve”, shkruan ndër të tjera në letrën e gjatë të klubit madrilen.
Lufta e Madridit me federatën dhe arbitrat, pritet të vazhdojë.