Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke filluar nga nesër dhe për disa ditë në vijim, do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri, i shoqëruar nga ministri i Politikës dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti dhe zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktorija Trajkov, do të marrin pjesë në ceremoninë inauguruese të Presidentit të ri amerikan, Donald Trump, në Uashington. Ndër të tjera, delegacioni i udhëhequr nga kryeministri Mickoski do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e titulluar “Zërat e Lirisë”, e cila do të mbahet pas inaugurimit.
QEVERIA
“Pritet që gjatë qëndrimit, kryeministri Mickoski të zhvillojë disa takime bilaterale, kontakte dhe takime me anëtarë të rinj të administratës së presidentit amerikan. Gjithashtu, kryeministri Mickoski do të zhvillojë takim me biznesmenë me origjinë maqedonase, ku do të diskutohet për bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë për investime vendase”.
Ndërkaq, edhe nga koalicioni VLEN kanë njoftuar se liderët e këtij subjekti politik do të marrin pjesë në inaugurimin e Trumpti-it. Në një komunikatë të lëshuar për media, nga VLEN kanë thënë se, pjesëmarrja e liderëve të këtij koalicioni në këtë event është dëshmi e lidhjeve të forta që liderët e VLEN-it si përfaqësues të shqiptarëve në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, kanë ndërtuar me administratën e re amerikane.
VLEN
“Kjo ngjarje pasqyron një tjetër hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve me SHBA-të. Forcimi i lidhjeve mes Shkupit dhe Uashingtonit është një garanci për mbështetjen e mëtejshme të procesit të integrimit evropian të vendit tonë, për të cilin liderët e VLEN-it kanë qenë gjithmonë të angazhuar gjatë kohës sa ishin në opozitë edhe tani që janë në pushtet”.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump do të bëjë betimin më 20 janar. Trump do të jetë presidenti i 47-të i SHBA-së, ndërsa ky do të jetë mandati i tij i dytë në këtë detyrë.
Teuta Buçi /SHENJA/