Dr. Arben Ramkaj
Sondazhet serioze tregojnë se institucionet fetare janë sot ndër më të besuarat në Shqipëri, duke tejkaluar edhe institucionet e reja të drejtësisë, shpesh të konsideruara si shpresa për të ardhmen. Ky besim nuk është i rastësishëm: ai reflekton rolin qendror që këto institucione mbajnë në orientimin moral dhe shoqëror të vendit. Për të zbatuar fjalën e Zotit në tokë, ashtu siç zbatohet në qiell, komunitetet fetare punojnë për një prani më të theksuar në hapësirën publike, bazuar si në përgjegjësinë hyjnore ashtu edhe në besimin publik.
Besimtarët e thjeshtë janë të ndjeshëm ndaj mesazheve që përcjell lidershipi politik. Kjo përfshin rastet kur Kryeministri dhe politikanë të tjerë me peshë përdorin retorikën fetare për të përçuar mesazhe dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi me besimtarët dhe publikun e gjerë. Kryeministri Edi Rama, ndër figurat më të shquara që citon tekste të shenjta, ka theksuar: “Zoti urdhëron drejtësinë dhe mirësinë, dhe ju ndalon nga e liga, nga padrejtësia dhe nga shkelja e kufijve.” Në një tjetër rast, duke cituar Psalmet, tha: “Shikoni, sa e mirë dhe e këndshme është kur vëllezërit shkojnë mirë në unitet!” Këto citime janë të lavdërueshme dhe emocionuese, duke treguar rëndësinë që Kryeministri i jep të shenjtes në marrëdhëniet me publikun. Megjithatë, komunitetet fetare presin që këto mesazhe të përkthehen në veprime konkrete, sepse 34 vite pas pluralizmit politik, shqetësimet e tyre mbeten të pazgjidhura.
Këtu do lë anash problemin e skepticizmit të shprehur për rezultatet e fundit të censit, duke pretenduar se ato nuk reflektojnë realitetin fetar në vend. Si edhe, propozimin për krijimin e një urdhri të posaçëm bektashi pasi janëpërplasje publike midis përfaqësuesve të bashkësive fetare dhe shtetit. Por do përqëndrohem në zgjidhje të shpejta të mundshme me masa të menjëhershme legale nga qeveria:
Një nga sfidat më të mëdha është mosnjohja e diplomave të qindra studentëve shqiptarë që kanë përfunduar studimet teologjike jashtë vendit. Pa një njohje të plotë të diplomave të tyre, këta studentë përballen me kufizime të padrejta dhe shpesh janë të detyruar të punojnë vetëm në administratat fetare, e jashtë tyre duke u trajtuar vetëm si të diplomuar në arsim të mesëm. Njohja e këtyre diplomave është thelbësore për ndërtim të shtetit të së drejtës dhe mund të kontribuojë në zhvillimin shpirtëror dhe social të vendit me avansimin e tyre në gradat e mëtejme akademike.
Komunitetet fetare me ngulm kërkojnë gjithashtu drejtësi për pronat e tyre të konfiskuara dhe të shkatërruara gjatë regjimit komunist. Kjo nuk është vetëm një çështje materiale, por edhe një përpjekje për të rikthyer trashëgiminë shpirtërore dhe historike të tyre. Po ashtu, ata kërkojnë futjen e lëndës së edukimit fetar si zgjedhje në shkolla dhe liberalizimin e shkollave private fetare për të ndihmuar në edukimin e brezave të rinj mbi tolerancën dhe vlerat morale.
Një tjetër kërkesë është garantimi i lirisë së besimit dhe ushtrimi i tij në mënyrë të pakufizuar në hapësirat publike. Konkretisht, praktika e lutjes së ditës së premte për myslimanët kërkon një zgjidhje që të mundësojë pjesëmarrjen në këtë rit të rëndësishëm pa ndërprerë angazhimet profesionale apo institucionale. Një angazhim i tillë do të ishte një hap i madh drejt respektimit të diversitetit fetar dhe lirisë së plotë të besimit.
Një tjetër kërkesë e rëndësishme është përfshirja e liderëve shpirtërorë në institucione si ushtria dhe policia, në përputhje me praktikat e disa vendeve anëtare të NATO-s. Në Shtetet e Bashkuara dhe Gjermani, kapelanët ushtarakë luajnë një rol kyç në sigurimin e mbështetjes morale dhe shpirtërore për personelin dhe familjet e tyre. Shqipëria mund të ndjekë këtë model për të krijuar një mjedis që respekton diversitetin dhe fuqizon mirëqenien morale.
Filozofi Baruch Spinoza, në Traktatin Theologjik-Politik, ka shkruar: “Feja dhe politika duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën për të siguruar drejtësinë dhe lirinë e individit.” Ky mendim është një thirrje për të ndërtuar një marrëdhënie të harmonizuar midis fesë dhe shtetit, ku secila kontribuon në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të bashkuar.
Sipas studiuesit italian Armando Salvatore, tradita islame ka zhvilluar një koncept unik të “moralitetit publik”, i cili bazohet në idenë e “marrëveshjes për të mirën e përbashkët”. Kjo do të thotë se feja jo vetëm që ndikon në hapësirën publike, por edhe merr prej saj, duke krijuar një mjedis të mbështetur mbi vlera të përbashkëta si drejtësia, toleranca dhe barazia.
Feja në Shqipëri mbetet një shtyllë morale dhe shoqërore e fortë, por ajo kërkon një vëmendje më të madhe nga shteti për të realizuar potencialin e saj të plotë. Siç thotë Kurani: “Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën ndaj të afërmit. Ai ndalon ligësinë, të keqen dhe padrejtësinë. Ai ju këshillon që të përkujtoheni.” Ky mesazh na kujton se drejtësia është baza e një shoqërie të harmonishme dhe të qëndrueshme. Përmbushja e saj kërkon jo vetëm fjalë, por edhe vepra konkrete, në respekt të martirëve fetarë dhe qindra mijëra praktikantëve besimtarë që përfaqësojnë një model të shëndetshëm në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.