Kronika e televizionit Alsat për rikthimin e shqipes në Ministrinë për Marrëdhënie mes Komuniteteve e ka irrituar zëvendëskryeministrin dhe ministrin, Ivan Stoillkoviq, i cili drejton dikasterin që ka për obligim zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Në një status në Facebook, Sotillkoviq jep komente dhe interpretime për raportimin e Alsat, madje duke shkuar aq larg saqë të thotë se vetë televizioni ka krijuar problem.
“Interesante! Vetë i krijojnë problemet gjoja të mëdha, vetë i zgjidhin. Gjoja kanë kryer trysni dhe janë shumë të fuqishëm. Realiteti është se ndryshimi i vetëm është se ueb-sajti i Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve nga njëgjuhësh, shqip, u bë shumëgjuhësh dhe janë të përfaqësuara të gjitha komunitetet nacionale në Maqedoni që mund të verifikohet në mënyrë shumë të thjeshtë. Ndryshimi i këtillë kërkon kohë, përpunim të ueb-sajtit të ri, angazhim të përkthyesve, në rastin tonë arritëm atë ta bëjmë në bazë vullnetare. Përndryshe, patjetër duhet të pranohet se janë mjeshtër për krijimin e realitetit paralel, i cili me të vërtetë nuk ka pika të përbashkëta, as me të vërtetën dhe as me realitetin”.
Statusi i Stoillkoviqit, nuk përgënjeshtron në asnjë pikë atë për të cilën ka raportuar Alsat, përkatësisht “zhdukjen” e shqipes nga faqja e internetit, por është një koment i pastër dhe sulm ndaj medias, nga pozita e zëvendëskryeministrit.
Në fakt e vërteta është se Ivan Stoillkoviq pesë muaj e ka mbajtur faqen e Ministrisë vetëm në gjuhën maqedonase dhe vetëm pasi kryen mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektorët e Inspektoratit të Gjuhëve, pas denoncimit të Alsat, ai e lëshoi në përdorim versionin e shqipes. Dhe kjo, konstatohet edhe në njoftimin e Inspektoratit.
Stoillkoviq thotë se ueb-faqja është bërë nga një gjuhë në shumë gjuhë. Edhe kjo, në fakt nuk është e vërtetë. Ueb-faqja e Ministrisë së Komuniteteve, paraprakisht ka qenë në maqedonisht, shqip dhe anglisht. Stoillkoviqi, ka shtuar versionet në turqisht, gjuhë vllehe, boshnjake dhe rome, megjithatë, tani për tani vetëm figurojnë si kategori dhe nuk janë funksionale. Në ndërkohë, versioni në gjuhën angleze herën e fundit është përditësuar më 22 nëntor.
Stoillkoviq thotë se përpunimin e faqes së re të internetit, angazhimin e përkthyesve e bëjnë në mënyrë vullnetare. Megjithatë sa për rikujtim se çështja e zbatimit të Ligjit nuk është në bazë vullnetare, përdorimi i gjuhës shqipe, është detyrim ligjor.
Qasjes së Stoillkoviqit, nëpërmjet të cilës dëshiron të nxjerrë Alsatin në dritë të gabuar, i përgjigjemi vetëm me punën tonë profesionale, duke ndjekur dhe mbajtur llogari për respektimin e ligjeve të cilat janë me rëndësi për qytetarët. Aq më shumë, që ai, është aty ku është, mu për këtë arsye. /Alsat.mk