Sulmi terrorist që kishte cak infrastrukturën jetike të Kosovës ka ngjallur frikën për rritjen e tensioneve në veri të vendit. Kryeministri Albin Kurti, mbrëmë vonë, menjëherë pas sulmit mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë, ku deklaroi se ata besojnë se përgjegjës është Beogradi, pasi që nuk arrijnë që të pranojnë fitoret që janë arritur në veri të vendit për sundimin e ligjit.
Ndërkohë, sot në mëngjes Kurti veshi çizmet për t’i prirë një ekipi qeveritar që inspektoi punimet që u zhvilluan gjatë gjithë natës për sanimin e dëmeve të shkaktuara.
Kurti njoftoi se policia ka zhvilluar bastisje dhe se ka persona të arrestuar, dëshmi e prova materiale. Kryeministri ka thënë se të gjithë kriminelët dhe terroristët që e kanë shkaktuar sulmin do të përballen me ligjin e Kosovës.
ALBIN KURTI, KRYEMINISTËR I KOSOVËS
“Policia në Kosovës nuk është kundër serbëve, por Serbia është kundër Kosovës dhe ajo financon, orkestron, mbështet dhe dirigjon grupet kriminale që i ka në listë të rrogave.. prandaj e bëjmë fajtor Serbinë për këtë…
Dhe kërkojmë nga faktorët ndërkombëtar, sidomos nga Uashingtoni e Brukseli që të dënojnë Beogradin dhe të kërkojnë përgjegjësi prej tyre… Nuk është e rastësishme heshtja e presidentit të Serbisë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë që ndodhi në veri të Kosovës.”Çka mendoni, pse nuk u nxitova sot në orën gjashtë të mëngjesit të them se Serbia nuk ka lidhje me atë që ndodhi në Ibër Lepenc. E dini, ne mund ta bënim këtë dhe t’ua kthenim lumin përpjetë, nuk na duhej kurrfarë terrorizmi, pse t’u arsyetohem”, ka deklaruar Vuçiq.
Ka reaguar emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili ka thënë se ata që janë përgjegjës për sabotimin e infrastrukturës së rëndësishme të Kosovës duhet të mbajnë përgjegjësi. /SHENJA/