Kryetari i OVL-UÇK në Pejë, Gazmend Syla ka kujtuar kohën kur presidentja Vjosa Osmani thurte lavdatata për Fahrije Hotin të cilës iu refuzua projekti nga Minsitria e Bujqësisë me Kooperativën “Krusha”.
Syla përmes një postimi në llogarinë e tij, tha se “Presidentja bashkë me Pecin e shkelën Fahrijen për të mbrojtur korrupsionin me grante dhe familjarët e punësuar”.
“Tash kur Fahrija u sulmua egërsisht nga bashkëpartiaku i saj, Ministri Peci, Vjosa nuk tha asnjë fjalë. Fahrija ishte e mirë kur i ofronte mundësi Vjosës të shijonte jetën e filmave në ShBA, por nuk u dëgjua fare kur u sulmua nga Ministri i saj”, shkroi mes tjerash Syla.
“Kur Presidentes Vjosa Osmani i nevojitej Fahrija të pozonte për të, e quante ikonë. Kur Presidentes i duhej Fahrija të parakalonte në tapetin e kuq për filmin “Zgjoi”, të bazuar në jetën e heroines, nuk linte ditë pa publikuar fotografi me të dhe duke u promovuar mbi suksesin e saj. Tash kur Fahrija u sulmua egërsisht nga bashkëpartiaku i saj, Ministri Peci, Vjosa nuk tha asnjë fjalë. Fahrija ishte e mirë kur i ofronte mundësi Vjosës të shijonte jetën e filmave në ShBA, por nuk u dëgjua fare kur u sulmua nga Ministri i saj.
Presidentja së bashku me Ministrin Peci e shkelën Fahrijen për të mbrojtur korrupsionin me grante dhe familjarët e punësuar në Ministrinë e Bujqësisë. Presidentja vërtetoi se ikonë e ka vetëm kalkulimin politik mbi supet e grave heroina dhe nepotizmin që e instaloi në Ministrinë e Bujqësisë. Kjo heshtje e saj mund të jetë edhe mbulim i ndonjë të afërmi që mori grantet e Pecit. Zonjë Fahrije, unë me të gjithë bashkëluftëtarët e mi jemi krenarë me ju dhe asnjëherë nuk do të lejojmë që ky pushtet i korruptuar të shkelë mbi dinjitetin tuaj dhe të nënave e motrave tona të Krushës. O ju hajdutë të fëlliqur e të pafytyrë, fundi në pushtet po ju vjen dhe po ju fillon koha e ndjekjes penale e burgut”.