Ndërmarrja e Transportit Publik sot u furnizua me gjashtë autobusë të rinj ekologjikë me gaz natyror përmes donacionit nga BE-ja. Ambasadori i BE-së, Rokas njoftoi se ky projekt përfshin disa qytete në vendin tonë, ndërsa vlera e këtij donacioni kap shumën 10 milion euro.
Mihail Rokas – Ambasador i BE-së
Ky aktivitet që është pjesë e një projekti me vlerë 10 milionë euro gjithashtu do të ndihmojë në zvoglimin e ndotjes së ajrit, pasi ky është një problem serioz ekologjik që fillojmë ta ndjejmë sapo të fillojë sezoni i ngrohjes. Ky projekt gjithashtu përfshin qytetet e Manastirit, Kumanovës, Shkupit dhe Tetovës, të cilat janë një ndër qytetet më të goditura nga ndotja e ajrit.
“Ky është vërtet një sukses i madh i Qytetit të Shkupit dhe dëshmi se kur administrata jonë e qytetit nuk është e bllokuar, është në gjendje të zbatojë diçka nga e cila përfiton Qyteti i Shkupit dhe mbarë vendi. Shpresoj se sot me këtë projekt do t’i motivojmë të gjithë palët e interesuara dhe ata këshilltarë të Qytetit të Shkupit që duhet të votojnë edhe për 250 autobusë të tillë ekologjikë,” tha Arsovska.
Nga ana tjetër, zv.kryeministri i vendit, Izet Mexhiti, tha se kryeqyteti u furnizua me 6 autobusa elektrikë, kjo falë mbështetjes së BE-së.
“Sot është një ditë e veçantë, sepse me ndihmën e BE-së kryeqyteti i vendit po merr 6 autobusa të rinj ekologjikë. Me pasurimin e flotës së NTP-së, po përmirësojmë kushtet për shfrytëzimin e transportit publik nga qytetarët. Po ashtu, si qeveri këto ditë po shqyrtojmë blerjen e 100 apo 120 autobusëve elektrikë, të cilët do të jenë në funksion për të luftuar ndotjen e ajrit,” tha Mexhiti.
Prej kur Danela Arsovska mori detyrën si kryetare e qytetit të Shkupit, transporti publik në Shkup është në kaos, duke u përballur me mungesë të linjave të rregullta. Ndryshe, Danela Arsovska kishte premtuar se nëse ajo fiton mandatin për qytetin e Shkupit, qytetarët do të kenë mundësi të shfrytëzojnë transportin publik falas. /tvklan.mk/