Edhe këtë të hënë kryeqyteti ynë u gjet në vendin e 9-të në botë për ndotjen, sipas ueb-faqes së njohur për matjen e ndotjes së ajrit në kryeqytetet e botës, IQAir. Qytetet e Maqedonisë së Veriut gjatë gjithë këtij muaji janë gjetur në krye të listave të cilësisë së ajrit në botë për nga ndotja e ajrit.
E me këtë rast, zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor Izet Mexhiti u pyet se çfarë po ndërmerr Qeveria për ajrin e ndotur. Në kohën kur ka mungesë të jashtëzakonshme të autobusëve publik, ai tha pritet të arrijnë 6 autobusë elektrik dhe se Qeveria po punon për blerjen e 120 autobusëve elektrik.
Izet Mexhiti, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor
“Nëse nuk gaboj nesër do të ketë një donacion bashkë me BE-në 6 autobusë elektrik për Qytetin e Shkupit apo për Ndërmarrjen Publike, të cilën e ndihmuam edhe me naftë këto ditë edhe nga ndërmarrja rezervat e naftës. Mirëpo, po shqyrtojmë në Qeveri për të blerë diku 100 deri 120 autobusë elektrik, të cilët do të shpërndahen për transportin publik nëpër komunat urbane ku ka nevojë”.
Për të parandaluar ndotjen e ajrit, ai tha se së shpejti do të hapet procedura për gasifikimin e qyteteve të Maqedonisë në veçanti në qytetet urbane ku ndotja është më e madhe. Ndërsa kujtoi edhe planin aksional që Qeveria shpalosi javën e kaluar me të cilin secili institucion duhet të ndërmerr masat e nevojshme kundër ndotjes së ajrit, plan i cili udhëhiqetr nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Emine Ismaili /SHENJA/