Kryeshefi i Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) të Tetovës, Riad Aliu i shpall luftë krimit brenda policisë. Për dhjetë ditë, përveç arrestimeve të tjera, nën pranga kanë rënë një polic aktiv i SPB-së i angazhuar në policinë e Rostushës, i dyshuar për përfshirje në trafik droge, si dhe një ish pjesëtar i policisë së Tetovës, tani me punë në drejtorinë e gjashtë, e që ka qenë i përfshirë në prodhim dhe tregtim me armë. Përskaj këtyre dy arrestimeve, policia e Tetovës ka vënë nën pranga edhe gjashtë persona të përfshirë në trafik droge, të cilët janë kapur brenda javës.
Zëdhënësi i SPB-së së Tetovës Fatmir Rexhepi tha se policia e Tetovës do ta luftojë krimin pa marrë parasysh se në cilët rrugë apo institucione kryhet i njëjti.
“Gatë javës së kaluar SPB Tetovë ka realizuar dy aksione të suksesshme, në njërin prej të cilëve janë privuar nga liria gjashtë persona që kanë qenë të involvuar në tregti të paligjshme me substanca narkotike dhe të njëjtët janë mbajtur në SPB Tetovë, dhe të njëjtive iu caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Po ashtu gjatë të premtes gjatë një bastisjeje në fshatin Neproshten të Tetovës, është konstatuar se një person ka qenë i involvuar në trafik armësh dhe tek i njëjti janë gjetur dhe konfiskuar shumë fishekë dhe projektil të kalibrave të ndryshëm, armë pa leje dhe thërmues. I njëjti është arrestuar dhe është m,bajtur në stacionin e Tetovës dhe me daljen para gjykatësit hetues i njëjti ka marrë masë paraburgimi prej 30 ditësh”, deklaroi Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.
Sipas Prokurorisë Publike, personi i arrestuar ditë më parë, e që ka qenë i përfshirë në trafik armësh, ka qenë i angazhuar si operues i lartë në Ministrinë e Punëve të brendshme.
“I dyshuari 51 vjeç nga fshati Neproshten i Tetovës, i punësuar si operues i lartë në MPB, në shtëpinë e tij dhe në një shtëpi tjetër në pronësi të tij, pa leje ka mbajtur armë zjarri, municion dhe material shpërthyes që për qytetarët janë të ndaluara. Gjatë kontrollit, tek i njëjti janë gjetur e konfiskuar, një pushkë e tipit karabinë, 14 plumba për të njëjtën, thërmuese, dy shenja optike, sasi më e madhe e plumbave të kalibrave të ndryshëm, një qese barot, një shok bombë. Dy pushka ajrore “gamo” me nihan të instaluar, pistoletë Glock 9 mm, me dy karikator më nga dhjetë plumba dhe gjësende të tjera të ndaluara që i ka poseduar pa leje përkatëse”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Nga SPB e Tetovës, për Alsat janë shprehur se, lufta ndaj krimit do të vazhdoj madje edhe ndaj personave të punësuar në polici. /Alsat.mk