Dërgimi në Ukrainë i disa armatimeve amerikane mund të realizohet pasi mandati i Presidentit Joe Biden të përfundojë në janar, i thanë Zërit të Amerikës zyrtarë të Pentagonit, duke theksuar se do të duhet kohë që disa kapacitete të mbërrijnë në Ukrainë.
“Siç e dini, disa pajisje dhe disa sisteme mund të arrijnë në Ukrainë shumë shpejt dhe ju e keni parë këtë të ndodhë brenda disa ditëve ose javëve. Ndonjëherë, zgjat më shumë … dhe mund të jetë më shumë se javë, mund të jenë muaj”, tha më 14 nëntor zv.sekretarja e Shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës.
Zonja Singh vuri në dukje se në kuadrin e Iniciativës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës (USAI), dërgesat e armëve mund të zgjasin me vite.
“Pra, disa pajisje arrijnë në Ukrainë jashtëzakonisht shpejt. Por pastaj ka disa për të cilat duhet më shumë kohë”, tha ajo.
Shtetet e Bashkuara kanë ende fonde në dy programe kryesore që mbështesin mbrojtjen e Ukrainës – programi PDA, ose Programi i Autorizimit Presidencial, dhe programi USAI. Programi i parë lejon që armët të sigurohen nga rezervat ekzistuese të Shteteve të Bashkuara, duke mundësuar shpërndarje më të shpejtë. Programi i dytë përfshin blerjen e armëve nga industria, një proces që mund të zgjasë më shumë.
Që nga nëntori, Shteteve të Bashkuara u kanë mbetur rreth 9 miliardë dollarë për ndihma ushtarake për Ukrainën, ka raportuar Pentagoni. Nga këto, afërsisht 7 miliardë dollarë janë në dispozicion sipas programit PDA, përfshirë rreth 4 miliardë dollarë të miratuara nga Kongresi në prill dhe 2.8 miliardë dollarë shtesë të vëna në dispozicion pas bilanceve të reja nga Departamenti i Mbrojtjes. Gjithashtu, 2.2 miliardë dollarë të tjerë janë në dispozicion për programin USAI.
Më 20 nëntor, Shtetet e Bashkuara njoftuan një paketë shtesë të ndihmave të sigurisë për Ukrainën, me vlerë 275 milionë dollarë. Në të përfshihen municione për sistemet e raketave, predha artilerie, armë antitank dhe të tjera.
Zyrtarët e Pentagonit i kanë konfirmuar Zërit të Amerikës se Departamenti i Mbrojtjes është i angazhuar të përdorë të gjitha fondet e mbetura të programit PDA të autorizuara nga Kongresi përpara datës 20 janar 2025 dhe fondet shtesë të vëna në dispozicion për shkak të përllogaritjeve të reja. Shuma e saktë do të varet nga vlerësimet e vazhdueshme të nevojave të mbrojtjes së Ukrainës dhe logjistikës së ofrimit të ndihmës.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka thënë se disa dërgesa të armëve amerikane në Ukrainë mund të kërkojnë kohë.
“Jo të gjitha do të dërgohen menjëherë”, u tha ai gazetarëve gjatë një vizite në Itali në tetor. “Gjërat që po blejmë tani, për shembull, mund të arrijnë vetëm disa muaj më vonë”.